TENDERI PËR PALLATIN E PRISHUR/ Gjykata e Tiranës jep vendimin për dosjen e rindërtimit të Kombinat

Gjykata e Tiranës konfirmoi shkelje në procesin e shembjes së një pallati në Kombinat pas tërmetit të vitit 2019.  Sipas hetimeve, pallati ishte shembur më herët me fondet e Bashkisë së Tiranës, por më pas u përfshi sërish në një tender për demolime, duke shkaktuar pagesa të pajustifikuara nga fondet publike.

Gjykata e Tiranës ka konfirmuar shkelje dhe abuzime në prishjen pa vendim të Këshillit Bashkiak të një pallati në zonën e Kombinatit, pas tërmetit të vitit 2019 që dëmtoi objekte në disa bashki të vendit.

Nën akuzë për këtë cështje, prokuroria e Kryeqytetit kishte vënë 8 persona mes të cilëve pesë punonjës e zyrtarë të bashkisë së Tiranës të akuzuar për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre

Por në përfundim të procesit, Gjyqtari Gerd Hoxha gjeti fajtor vetëm dy të akuzuar, dhe u dha pafajësi 6 të dyshuarve të tjerë.

Shyqyri Maloku,  u gjet fajtor dhe u dënua me 9 muaj burg, pasi në cilësinë e sipërmarrësit të punimeve,i ka ka paraqitur të dhëna të rreme për procesin e shembjes

Ndërsa Aleksandra Mahmutllari u dënua  me 6 muaj burg, dënim që u konvertua me shërbim prove.

Ajo u gjet fajtore pasi si  përfaqësuese e dy subjekteve dhe mbikqyrës i punimeve që fitoi tenderin, ka përfshirë edhe objektet që ishin të demoluara që në muajin Janar 2021, duke paraqitur rrethana të rreme, punime fiktive dhe shkaktuar dëm në vlerë monetare buxhetit të Bashkisë Tiranë me disbursimin e fondeve publike për punime fiktive.

Sipas vendimit të gjykatë, të pafajshëm u shpallën Aurel Boriçi, drejtor në Drejtorinë e Medias dhe Komunikimit në Bashkinë Tiranë dhe ish-zyrtaret Aurel Çuko dhe Eleana Guçe. Pafajësi morën edhe ish-drejtuesit e IMT,  Sokol Qehajaj dhe Rexhina Rakipi.

Të gjithë u akuzuan për "shpërdorim të detyrës" dhe "falsifikim të dokumenteve" pas dyshimeve për punime fiktive të kryera për shembjen e pallateve të dëmtuara nga tërmeti.

Sipas dosjes hetimore,  një pallat i prishur në Kombinat janarin e 2020-s me mjetet dhe shpenzimet e Bashkisë Tiranë, u rifut në një tender bashkë me 14 ndërtesa të tjera që duheshin shembur si të dëmtuara nga tërmeti.

Prokuroria e Tiranës tha se pallati nr. 140 nuk ishte i vetmi, që dyshohet se u pagua për t’u shembur edhe pse ishte i rrafshuar, por edhe 5 ndërtesa të tjera.