Lumçi rrëfen incidentin me policinë: Më morën “peng” në Komisariatin nr. 3, më ndaluan të bëj detyrën

Avokati Emanuel Lumçi ka denoncuar publikisht një incident që sipas tij përbën pengim të ushtrimit të detyrës dhe cenim të të drejtave të tij si avokat.

I ftuar këtë të enjte në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musai, Lumçi rrëfeu se është shoqëruar dhe mbajtur për rreth pesë orë në ambientet e Komisariatit nr. 3 në Tiranë, gjatë një ndërhyrjeje në mbrojtje të një klienti të tij.

Sipas avokatit, ngjarja ka ndodhur më 22 maj, ditë në të cilën ai duhej të ushtronte për herë të parë të drejtën e votës si anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë, por nuk arriti ta bënte këtë për shkak të ndalimit nga policia.

Lumçi tregoi se ishte thirrur nga një klient për një problematikë administrative që lidhej me një urdhër të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) për prishjen e murit rrethues të një prone në zonën e Bulevardit të Ri.

Ai tha se kishte kërkuar nga inspektorët respektimin e afateve ligjore të ankimit administrativ, duke iu referuar edhe një vendimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë të vitit 1992, i cili sipas tij njeh pronësinë e klientit.

Ai pretendon se gjatë komunikimit me inspektorët është përballur me sjellje arrogante dhe joetike, ndërsa situata është përshkallëzuar pas ndërhyrjes së SPZ-së së zonës.

Sipas Lumçit, një prej inspektorëve iu drejtua klientit të tij me tone kërcënuese, duke i thënë: “Unë ta prish”, çka sipas avokatit tregonte një qasje force dhe jo ligjore.

Avokati deklaroi se nisi të filmonte ngjarjen për të dokumentuar situatën dhe veprimet e autoriteteve, por pas kësaj ai vetë u shoqërua në komisariat.

“Pasi më panë duke filmuar, më shoqëruan edhe mua. Jam mbajtur për pesë orë në Komisariatin nr. 3”, deklaroi Lumçi.

Ai bëri të ditur se ngjarjen e ka referuar pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), ndërsa shtoi se disponon edhe pamje filmike të incidentit.

Ndiqni intervistën e plotë: