"U bllokua 3 herë nga Brukseli" - Kikia: Tejkalimi i ngërçit politik siç ishte miratimi i IBAR-it, është absolutisht i rëndësishëm

Miratimi i IBAR-it është kthyer në një nga zhvillimet më jetike politike për rrugëtimin e vendit, duke i dhënë fund një bllokimi të gjatë.

Llogaritjet e thjeshta matematikore për hapat e mbetur drejt integrimit konsiderohen të pamjaftueshme, pasi rëndësia e vërtetë qëndron te kapërcimi i pengesave të mëdha politike.

Në një intervistë për “Ora News”, analisti Mentor Kikia ka vënë theksin tek kapërcimi i sfidave poltike që mbajnë peng anëtarësimin e vendit.

IBAR-i, theksoi Kikia, ka shërbyer si një instrument kyç përmes të cilit Brukseli analizon dhe vlerëson në thellësi gatishmërinë e vërtetë të vendeve kandidate.

Detaji që bie në sy dhe që shkaktoi tensione, është fakti se ky projekt mbeti i pa miratuar të paktën tre herë nga strukturat europiane. Shkaku kryesor i këtij refuzimi sipas analistit mbetet  raporti i qeverisë shqiptare dhe sistemit të drejtësisë.

Pavarësisht këtyre hijeve të dyshimit, ky ngërç tashmë është tejkaluar, theksoi Kikia.

Ky zhvillim pozitiv i hapi rrugën Konferencës së Përbashkët Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, duke përmbyllur me sukses këtë fazë tejet kritike të procesit të integrimit.

Mentor Kikia: ”Nëse do të fillojmë të marrim metrin dhe të themi që bëmë një hap më përpara, tani jemi 99 hapa larg, pastaj do të bëjmë një hap tjetër edhe do të themi 98 hapa larg, më duket se do të jetë një matematikë e lodhshme.

Padyshim që tejkalimi i ngërçit siç ishte miratimi i IBAR-it, është absolutisht i rëndësishëm, për shkak se IBAR-i është një instrument politik, i cili është një instrument politik përmes të cilit Brukseli vlerëson qasjen politike të vendeve kandidat, vlerëson qasjen e vendeve kandidate.

IBAR-i është një instrument politik me të cilin Brukseli mat gatishmërinë e vendeve kandidate dhe siç jemi në dijeni, ky projekt u mbajt të paktën tre herë i pamiratuar nga Brukseli për shkak të problemeve që ishin vërejtur në raport mes qeverisë shqiptare dhe sistemit të drejtësisë.

Ky ngërç u tejkalua dhe pas kësaj edhe konferenca e përbashkët midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, përmbylli me sukses këtë fazë të këtij procesi".

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE