"Rinia, 'mish për top' nga kartelet"/ Balliu: Po rekrutohen në Europë nga bandat kriminale që bashkëpunojnë me qeverinë

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, në një konferencë për mediat ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke folur për lidhje të dyshuara mes politikës dhe grupeve kriminale.

Sipas tij, në vend të një shteti të konsoliduar europian, vendi po përballet me një realitet ku grupet kriminale janë fuqizuar dhe shtrijnë aktivitetin e tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ai tha se këto grupe po rekrutojnë të rinj pa precedentë penalë, të cilët përfshihen në aktivitete të trafikut të drogës në Europë.

Balliu u ndal edhe te situata e sigurisë në vend, duke përmendur raste të atentateve dhe përplasjeve kriminale ku, sipas tij, mosha e viktimave është e re.

Ai e lidhi këtë me mungesën e mundësive dhe me ndikimin e botës së krimit në shoqëri.

Ai shtoi se një pjesë e të rinjve po ekspozohen ndaj modelit të jetesës së luksit të shpejtë dhe parave të pista, çka sipas tij rrit rrezikun e përfshirjes së tyre në aktivitete kriminale.

Gjithashtu, i bëri thirrje prindërve që të tregojnë kujdes ndaj fëmijëve dhe të rinjve, duke theksuar se vendi ka nevojë për një model të bazuar në punë dhe meritë, jo në kriminalitet.

FJALA E PLOTË E DEPUTETIT BALLIU:

Edi Rama premtoi shtet europian, por ndërtoi një realitet ku kartelet shqiptare të drogës janë fuqizuar deri në atë pikë sa po rekrutojnë fëmijët tanë dhe po i kthejnë në trafikantë droge në Europë. Kjo patjetër nuk ndodhi brenda një nate.

Kjo ndodhi sepse Edi Rama zgjodhi propagandën në vend të luftës kundër krimit, zgjodhi të sulmojë opozitën dhe gazetarët, ndërsa bandat kriminale rriteshin në fuqi, pastronin paratë dhe shtrinin ndikimin e tyre në çdo sektor të vendit.

Sot të rinjtë shqiptarë, pa precedentë penalë, përdoren si ushtarë të drogës nga organizatat kriminale që kanë krijuar një fuqi të pafundme ekonomike dhe kriminale, dhe kjo fuqi nuk do të ekzistonte pa klimën e pandëshkueshmërisë që ka krijuar qeveria e Edi Ramës.

Më tragjikja është se viktimat kryesore të këtij realiteti është vetë rinia shqiptare. Nuk është rastësi që mosha mesatare e të vrarëve në atentate mafioze dhe përplasje kriminale në Shqipëri është rreth 30 vjeç.

Pra kemi një brez të tërë të rritur gjatë qeverisjes së Edi Ramës, një brez që në vend të mundësive, arsimit dhe shpresës, është përballur çdo ditë me modelin e drogës, luksit kriminal dhe parave të pista. Kur kryeministri i vendit normalizon lidhjet me krimin dhe promovon kulturën e pandëshkueshmërisë, atëherë krimi bëhet alternativa që u imponohet të rinjve.

Edi Rama mban përgjegjësi politike dhe morale për këtë degradim të rëndë të shoqërisë shqiptare.

Aq më tepër kur përfaqësues të krimit të organizuar promovohen brenda institucioneve të shtetit e më pas dekorohen, pikërisht për lidhjet me krimin e organizuar, kjo bëhet edhe më e rëndë.

Ftoj çdo prind shqiptar të mbrojë fëmijët e vet nga ky realitet i errët që po i merr peng.

Të mos lejojmë që rinia shqiptare të përdoret si mish për top nga kartelet kriminale që bashkëpunojnë sot me qeverinë e Edi Ramës.

Shqipëria meriton një të ardhme ku të rinjtë ndërtojnë jetën me punë dhe meritë, jo me drogë, trafik dhe dhunë mafioze. Faleminderit.