“Dështimi i reformës territoriale”/ Boçi i kthehet kryebashkiakëve: Na i kurseni lëvdatat për partinë
Një diskutim i ashpër dhe i drejtpërdrejtë është zhvilluar në mbledhjen e sotme të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, ku u mbajt dëgjesa me disa prej kryebashkiakëve të vendit.
Në nisje të diskutimeve, bashkëkryetari demokrat i këtij komisioni, Luçiano Boçi ngriti pikëpyetje të forta mbi ekzistencën dhe efikasitetin e disa bashkive aktuale, në një kohë që qytetarët përballen me mungesën e shërbimeve bazë dhe distancat e largëta me qendrat e vendimmarrjes.
Gjatë diskutimeve me përfaqësues të pushtetit lokal, Boçi u bëru të qartë se bashkitë po përballen me një udhëkryq administrativ: të bashkohen me njësi më të mëdha, të rikthehen në formate të ngjashme me rrethet e vjetra apo të shtohet numri i tyre për të afruar shërbimet te qytetari.
Problematika kryesore mbetet largësia gjeografike e krijuar nga harta aktuale, e cila ka sjellë një rënie drastike të cilësisë së shërbimeve ndaj komunitetit.
Ajo që ra në sy ishte kritika e fortë ndaj reformës territoriale të vitit 2014. Ligjvënësi demokrat theksoi se mbledhjet nuk duhet të kthehen në "lëvdata administrative" apo në deklarata absurde për investime që "nuk do të bëheshin as për 500 vite". Përkundrazi, fokusi kryesor, tha ai, është te korrigjimi i një reforme që, sipas tij ka dështuar qartësisht në raport me pritshmëritë fillestare dhe qëllimet për të cilat u miratua.
Përfaqësuesve të pushtetit vendor u është bërë një thirrje e prerë për të shmangur konfliktualitetin dhe për të mos fshehur problemet reale për arsye politike.
Zyrtarëve u është kërkuar të jenë të sinqertë në lidhje me shqetësimet për funksionalitetin, kompetencat apo financat e bashkive. Fshehja e këtij realiteti nga frika e ndëshkimeve politike do të reflektohet në konkluzionet përfundimtare të komisionit, duke dëmtuar në fund vetëm qytetarin.
NDIQNI PUNIMET E SOTME TË KOMISIONIT PËR REFORMËN TERRITORIALE

