Ferit Hoxha "mesazh" Putinit: Nuk tërhiqemi nga mbështetja për Ukrainën

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar ndaj njoftimit të Rusisë që u kërkon diplomatëve dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara.

Në një postim në X, duke iu hakërryer Putinit, Hoxha e cilëson këtë veprim si “krejtësisht të papranueshëm”, duke theksuar se kërcënimi i ambasadave nuk përbën diplomaci, por intimidim dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Postimi në “X”:

Shqipëria e konsideron njoftimin e Rusisë ku u bën thirrje personelit diplomatik dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara si krejtësisht të papranueshëm.

Kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci; është intimidim. Ai përfaqëson një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën. Dhe nuk do të intimidohemi.

Përgjigja për këtë luftë nuk mund të jetë më shumë luftë, më shumë krime ose sulme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile.

E vetmja rrugë përpara është t’i jepet fund një lufte që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe angazhim në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe.

Kjo iu përcoll shumë qartë ditën e sotme edhe Ambasadorit të Rusisë në Tiranë.