DOSJA 'SASPAC'/ GJKKO 'hedh poshtë' kërkesën e Beqajt për liri nga qelia, ish-ministri vijon paraburgimin

Gjykata e Posaçme ka rrëzuar këtë të hënë kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për t’u liruar nga qelia. Ai ndodhet në paraburgim që prej korrikut 2024.

Beqaj akuzohet në lidhje me dosjen për dyshimet mbi abuzimin me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës që ka drejtuar agjencinë SASPAC.

Përmes mbrojtjes së tij, ai kishte ofruar edhe një garanci pasurore prej 2 milionë lekësh si dhe kishte kërkuar zbutjen e masës së sigurisë, duke u mbështetur edhe në vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë për afatet e paraburgimit. Megjithatë, Gjykata e Posaçme nuk e ka pranuar kërkesën, duke lënë në fuqi masën e kërkuar nga SPAK për vijimin e paraburgimit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjatë drejtimit të SASPAC-ut, Beqaj dyshohet se ka favorizuar prokurime fiktive në kuadër të projekteve të EUSAIR për periudhën 2022–2023.

Hetuesit pretendojnë se procedurat e tenderimit janë zhvilluar vetëm në dokumente, ndërsa fondet janë përfituar në mënyrë të paligjshme përmes kompanive të lidhura me skemën.

Ndaj tij rëndojnë disa akuza, mes tyre “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tendera”, “falsifikim dokumentesh”, “mashtrim” dhe “fshehje pasurie”.

Beqaj po përballet me një proces të dytë gjyqësor në të njëjtën gjykatë, lidhur me dosjen e sterilizimit.