“Komisionerët partiakë nuk garantojnë profesionalizëm”/ Celibashi kërkon transformim të formulës së zgjedhjeve

Partitë politike ende hezitojnë të heqin dorë nga numëruesit dhe komisionerët me prapavijë partiake, por kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka ritheksuar nevojën për një ndryshim të thellë në formulën e përbërjes së komisioneve zgjedhore në nivelet e dyta dhe të treta.

Sipas tij, ka ardhur momenti që aktorët politikë të ndërmarrin hapa konkretë drejt depolitizimit të administratës zgjedhore, duke e kthyer këtë çështje në prioritet kryesor të reformës zgjedhore.

Celibashi thekson se vetëm një administrim më profesional dhe i pavarur mund të garantojë integritet dhe besueshmëri më të lartë në proceset zgjedhore në vend.

“Përbërja partiake e komisioneve të dyta dhe të treta nuk garanton integritet të plotë të administrimit të procesit zgjedhor dhe profesionalizëm.

Ndaj është domosdoshmëri që administrimi zgjedhor në nivelin e dytë dhe të tretë të mos jetë vetëm në duart e partive politike.

Do të duhet që Kuvendi i Shqipërisë, e më së pari partitë politike e veçanërisht dy partitë kryesore politike, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, të adresojnë këtë çështje me prioritet të lartë”, tha Celibashi.

Partitë politike janë dakord parimisht për ngritjen e një qendre të përhershme për trajnimin e administratës zgjedhore.

“Kemi pasur diskutime edhe me përfaqësues të partive politike dhe kemi kuptuar si prej atyre të opozitës dhe të mazhorancës duket që ka mbështetje për këtë ide, për të krijuar një strukturë e cila në mënyrë të përhershme do të jetë kompetente dhe përgjegjëse për zhvillimin e trajnimeve zgjedhore dhe edukimin zgjedhor në Shqipëri”, tha Celibashi.

Në çdo palë zgjedhje, komisionerët e partive politike kanë rezultuar të jenë thembra e Akilit e proceseve elektorale, ndaj edhe depolitizimi i trupës zgjedhore vijon të mbetet rekomandimi kryesor i OSBE-ODIHR.