Ministri Nufi pret Dendias në Tiranë: Vijon bashkëpunimi në NATO dhe misionet ndërkombëtare

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Ermal Nufi, priti homologun e tij, Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë, z. Nikos Dendias. Në qendër të vizitës zyrtare ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh Shqipëri–Greqi dhe vijimi i dialogut të ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Duke vlerësuar mbështetjen e Greqisë për rrugën europiane të Shqipërisë, ministri Nufi u ndal te rëndësia e promovimit të stabilitetit dhe sigurisë rajonale, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, që mbetet një prioritet i përbashkët strategjik.

“Objektivi kryesor i Shqipërisë në rajon mbetet forcimi i stabilitetit politik, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Për këtë arsye, ne jemi të pranishëm me personel në EUFOR ALTHEA në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në KFOR në Kosovë.
Forcat detare shqiptare dhe ato greke kanë bashkëpunim të ngushtë dhe ndërveprim të mirë përmes misioneve në Detin Egje dhe Mesdhe, përfshirë Operacionin ‘Sea Guardian’ të NATO-s. Ndërkohë, Shqipëria po punon për modernizimin e flotës së saj detare, çka do të rrisë më tej sigurinë detare në rajonin Adriatiko-Jonian.”-tha Nufi.

Ministri Nufi vlerësoi edhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet forcave ushtarake të dy vendeve përmes aktiviteteve të përbashkëta, programeve të trajnimit dhe shkëmbimit të ekspertizës.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e riaktivizimit të protokollit teknik për bashkëpunimin ushtarak mjekësor mes dy vendeve.

“Synojmë riaktivizimin e këtij kuadri, veçanërisht në fushat e kujdesit shëndetësor të specializuar, trajnimit mjekësor dhe shkëmbimeve profesionale, në frymën e bashkëpunimit dhe përfitimit të ndërsjellë”, u shpreh ai gjatë bisedës me homologun Dendias.

Gjatë takimit, palët vlerësuan gjithashtu rritjen e bashkëpunimit në zhvillimin e kapaciteteve dhe industrisë ushtarake, si një prioritet i rëndësishëm për vendet aleate, në kuadër të zhvillimeve dhe vendimeve të NATO-s dhe Bashkimit Europian.