“Nuk ka pasur veto nga Greqia”/ Bumçi: Marrëveshja e detit u bllokua nga mungesa e vullnetit, jo nga pala greke

Në një lidhje direkte për Ora News, Aldo Bumçi, ka komentuar zhvillimet lidhur me marrëveshjet me Greqinë dhe procesin e integrimit europian.

Ai u ndal te çështja e marrëveshjes së detit dhe mungesa e saj, duke thënë se sipas tij problemi qëndron te mungesa e vullnetit për arritjen e një dakordësie dhe te mungesa e transparencës në proces.

“Mandati i katërt… nuk kanë dashur të ketë marrëveshje. Kjo nuk i shërben interesit kombëtar, sepse burimet natyrore në ato ujëra mund të shfrytëzohen nga të dyja palët. Kur nuk ka vullnet, zgjidhja është ose gjykata ndërkombëtare ose zgjedhjet.”-tha Bumçi.

Ai u shpreh se debati me Greqinë është përdorur shpesh si justifikim për mungesën e progresit në procesin e integrimit.

“Është krijuar përshtypja se Greqia përdoret si alibi për të mbuluar ngecjen në integrim. Deri më sot, Greqia nuk ka vendosur veto ndaj Shqipërisë, ndryshe nga raste të tjera në rajon. Në disa etapa, si MSA-ja, liberalizimi i vizave dhe procesi i NATO-s, pala greke ka dhënë mbështetje pa kushte.”-u shpreh ai.

Sipas tij, marrëdhëniet me Greqinë nuk kanë qenë pengesë në proceset kryesore të integrimit të vendit, duke sjellë si shembull disa vendime të mëparshme që janë mbështetur nga pala greke.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: