Marrëveshja e detit me Greqinë/ Berisha rikthen përplasjen me Ramën: E sabotoi për interesa të palëve të treta

16 vite pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi marrëveshjen e detit me Greqinë, çështja është rikthyer sërish në qendër të debatit politik.

Momenti i mbërritjes në Tiranë i ministrit grek të Jashtëm, Nikos Dendias, e gjeti kreun e PD-së, Sali Berisha, në një konferencë për mediat.

“Ministri, ose çdo ministër i qeverisë greke, është i mirëpritur. Problemi me të cilin vjen, për të cilin duket se vjen zoti Dendias, është problemi i marrëveshjes së detit”, tha Berisha.

Marrëveshja e parë për detin ishte firmosur nga qeveria Berisha në vitin 2009, por në atë kohë opozita e drejtuar nga Edi Rama e kundërshtoi fort, duke ngritur akuza për falje të hapësirës detare. Për këtë çështje, Berisha tha se vazhdon t’i qëndrojë të njëjtit draft.

“E kam theksuar dhe e theksoj se Edi Rama, për llogari të palëve të treta, bëri gjithçka për të sabotuar marrëveshjen e arritur para vitit 2013 me palën greke. Ajo ishte një marrëveshje ku të dyja palët fitonin, ishte një marrëveshje ‘win-win’”, u shpreh ai.

Pas rrëzimit të marrëveshjes nga Gjykata Kushtetuese, Berisha tha se çështja pritej të shkonte në Gjykatën Ndërkombëtare, gjë që sipas tij ende nuk ka ndodhur.

Ai shtoi se gjatë qeverisjes së Ramës u tentua një marrëveshje e re në Korçë.

“Nikos Kotzias erdhi në Korçë për të sigluar marrëveshjen, por pa që kishte të bënte me një bandë të papërgjegjshme. Pasi panë se nuk do të vihej firma, u kujtuan se kishte një vendim gjykate, se kishte President dhe institucione të tjera. Pala greke u largua nga Korça dhe pas disa muajsh shpalli rivendosjen e 12 miljeve në ujërat e veta territoriale”, tha Berisha.

Jashtë vëmendjes së konferencës nuk mbeti as situata brenda Partisë Demokratike. Pas konfirmimit në krye të PD-së, Berisha paralajmëroi vijimin e ndryshimeve në selinë blu.

“Kuvendi do të jetë kushtrimi i këtij procesi që do t’i japë Partisë Demokratike një organizim, një modernizim dhe një ripërtëritje shumë të fuqishme”, u shpreh ai.