Mungonin avokatët e Ema Çokut, shtyhet seanca për nënën e Monika Kryemadhit

Seanca gjyqësore ndaj nënës së Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhit, Ema Çokut dhe Pirro Xhixhos është shtyrë ditën e sotme. Shkak për këtë shtyrje është bërë mungesa e avokatëve të Ema Çokut. 

Ata kanë njoftuar më herët se e kanë të pamundur të jenë të pranishëm në këtë seancë gjyqësore, pasi duhet të jenë prezent në procese të tjera. Nëse seanca do të zhvillohej ditën e sotme, SPAK do të relatonte konkluzionet përfundimtare.

Në dosjen e SPAK thuhet se mes Ema Çoku, Ilir Metas dhe Monika Kryemadhit ka një lidhje të afërt familjare. Sipas dosjes hetimore Çoku nëpërmjet Vera Bazi, ka paguar për aktivitet argëtues të LRI-së dhe aktivitete të tjra, madje ka paguar gati 17 mijë euro blerje të Monikës. Po ashtu në 2010 ajo i kishte dhënë Fatime Kryemadhit, hua shumën 220.000 Euro.

Sakaq, në dosjen e SPAK thuhet se Ema Çoku i ka dhënë Fatime Kryemadhit, hua shumën 220.000 Euro dhe është përpjekur të ndihmojë Fatime Kryemadhin për të justifikuar shumat e parave që burojnë nga veprimet korruptive te Ilir Metaj dhe Monika Kryemadhi. Dhe sipas dosjes hetimore në këte mënyrë Ema Çoku ka konsumuar veprën penale të "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale", i kryer në bashkëpunim me Fatime Kryemadhin.