Gjenerali amerikan Eric Wendt në Tiranë/ Ndrenika: Profil me 30 vite shërbim, nuk ka lidhje me biznesin

Në një lidhje direkte për Ora News nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gazetari Denion Ndrenika solli një analizë mbi emërimin e ri të ambasadorit amerikan në Shqipëri.

Sipas tij, bëhet fjalë për një figurë me profil ushtarak, me mbi 30 vite karrierë në shërbim të shtetit amerikan dhe me një eksperiencë të kufizuar në diplomaci tradicionale.

Ai nuk vjen nga bota e biznesit dhe as nga karriera klasike diplomatike, por nga strukturat e ushtrisë dhe administratës shtetërore.

“Është një profil që vjen pas më shumë se 30 vitesh shërbim në shtetin amerikan. Nuk ka lidhje me biznesin dhe kjo e bën më të drejtpërdrejtë në qasjen e tij ndaj detyrës.”-tha ai.

Analiza e tij lidhet me mesazhin që, sipas tij, përcillet për rajonin. Emërimi shihet si një sinjal që vëmendja e SHBA-së mbetet e fokusuar në Ballkan, veçanërisht në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku stabiliteti politik mbetet çështje e ndjeshme.

Në këtë kontekst, Shqipëria shihet si një pikë e rëndësishme ekuilibri në rajon, rol që ndër vite e ka mbajtur në raport me zhvillimet në Ballkan.

“Lidhja e drejtpërdrejtë shkon te rajoni, te Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Shqipëria vazhdon të mbetet një pikë kyçe në ekuilibrat e stabilitetit në Ballkan.”-u shpreh Ndrenika.

Sipas analizës, prania e një ambasadori me profil ushtarak tregon se fokusi nuk është vetëm diplomatik në kuptimin klasik, por edhe i lidhur me sigurinë dhe stabilitetin rajonal, në një moment kur zhvillimet në Ballkan mbeten të ndjeshme.