Nga izolimi drejt lirisë, Rama: Për dekada të tëra Shqipëria njihej si Korea e Veriut e Evropës

Për dekada me radhë, një shtet i tërë u mbajt nën një izolim të hekurt, duke u njohur ndryshe si rasti më ekstrem i mbylljes në kontinent. Me kufij të bllokuar dhe mendje të rrethuara nga propaganda e ashpër, vendi u shndërrua në një burg të vërtetë shoqëror.

Kryeministri Rama në një konferencë ndërqeveritare në Japoni, ka folur mbi rrugënqë ka përshkruar Shqipëria, nga regjimi diktatorial,ardhja e demokracisë dhe shkëputjen e saj  nga zakonet e vjetra. Ai u ndal tek sigurimi i zbatimit të vlerave demokratike për çdo qytetar.

Intelektualët, theksoi ai u kthyen në shënjestra të regjimit, mendimi i lirë u dënua si herezi dhe çdo vlerë e së shkuarës u asgjësua pa mëshirë.

Kjo ishte periudha e errët kur iluzionet dhe diktatura janë zëvendësuar plotësisht arsyen, duke lënë pas vetëm frymën e një revolucioni shkatërrues kulturor. Megjithatë, rënia e këtij sistemi solli një kthesë historike dhe jetike për qytetarët. Zgjedhja e demokracisë, theksoi Rama  dhe hapja drejt një lirie të shumëpritur u shndërruan në një mision thelbësor kombëtar.

 Kryeministri u shpreh se rruga drejt integrimit në familjen e madhe evropiane nuk u trajtua asnjëherë thjesht si një proces i thatë burokratik apo si një mjet për të siguruar fonde, por si një aspiratë e thellë për t'iu bashkuar një qytetërimi të ngritur mbi paqen dhe lirinë.

Sot, ky objektiv historik duket më i prekshëm se kurrë, theksoi ai.

Së shpejti pritet mbajtja e një konference kyçe ndërqeveritare, e cila shënon një fazë të re dhe vendimtare drejt përmbylljes së negociatave brenda një afati tepër ambicioz. Për këtë rrugëtim është bërë e qartë se nuk ekziston asnjë alternativë dytësore, pasi çdo opsion tjetër do të nënkuptonte braktisjen e shtetit të së drejtës dhe thelbit të demokracisë. Pjesë e këtij transformimi të pakthyeshëm është edhe reforma në sistemin e drejtësisë, një nga sfidat më madhore të ndërmarra ndonjëherë.

Hartimi i ligjeve të reja mund të jetë hapi më i thjeshtë, por shkulja e zakoneve të vjetra dhe çmontimi i sistemeve të korruptuara kërkojnë një rezistencë të jashtëzakonshme.

Qëllimi përfundimtar sipas Ramës mbetet ndërtimi i një shteti modern e të pastruar nga korrupsioni, i cili funksionon si shërbëtor i qytetarëve, duke u garantuar atyre një hapësirë ku liria, siguria dhe bashkëjetesa demokratike janë të pacenueshme.

Edi Rama:” Për dekada të tëra, njihej si Koreja e Veriut e Evropës. Një vend i izoluar nga jeta e këtij planeti, që pretendonte se s'kishte lindje e perëndim, por vetëm Shqipëria kundër botës. Një vend ku shteti bëri të pamundurën për të izoluar jo vetëm kufijtë, por edhe mendjet. Nuk kishim fronte të tjera përveç njërës, Kinën e Madhe, dhe urrejtjen e revolucionit kulturor. Fryma e errët e revolucionit kaloi kontinentin dhe gjeti strehë në tokën tonë. Intelektualët u shndërruan në objektiva... mendimi i lirë u shndërrua në herezi dhe e shkuara u bë diçka për t'u asgjësuar, ndërkohë që e ardhmja u shndërrua në një burg i... maskuar si një strehë. Në fakt, është historia që ndodh kur zëvendësohet arsyeja dhe kur izolimi zëvendëson bashkëpunimin. Ja pse, kur komunizmi ra, shqiptarët bënë një zgjedhje që nuk ishte vetëm politike, ishte ekzistenciale. Zgjodhëm demokracinë, hapjen... lidhjen transatlantike që është Evropa. Për ne, integrimi evropian nuk ka qenë kurrë një proces burokratik a negociatë teknike, e as ka qenë aksesi në një bankomat. Është një aspiratë kombëtare. Një zgjedhje qytetërimi, një angazhim për t'i përkitur plotësisht një familjeje kombesh demokratike që jetojnë në paqe, liri, që besojnë në paqen, lirinë, demokracinë dhe sundimin e së drejtës. Shqipëria sot është më afër se kurrë me Bashkimin Evropian dhe nuk e kemi parë kurrë të jetë kaq konkrete, kaq reale, në asnjë moment të historisë sonë moderne. Në vijim të çeljes së negociatave për anëtarësim dhe përparimin e shpejtë përmes grup kapitujve, kemi hyrë në fazën vendimtare të rrugëtimit tonë evropian dhe javën e ardhshme do të kemi një konferencë kyçe ndërqeveritare me Bashkimin Evropian që i jep fill një faze të re të mbylljes së kapitujve dhe të përmbylljes së negociatave brenda një viti e gjysmë. Rruga përpara mbetet shumë kërkuese, tejet sfiduese, por kurrë nuk kemi qenë më të vendosur dhe kurrë madje as kemi imagjinuar, jo më të mendojmë, një plan B përveç Bashkimit Evropian. Sepse jemi të bindur që nuk ka plan B përkundrejt lirisë, nuk ka plan B përkundrejt shtetit të së drejtës, nuk ka plan B përkundrejt demokracisë. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është pikërisht kjo, nuk ka të bëjë me hyrjen në një organizatë, por ka të bëjë me transformimin e shoqërisë nga brenda, ndërtimin e institucioneve që s'kemi patur kurrë, forcimin e shtetit të së drejtës, modernizimin e administratës publike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e krijimin e një shteti që u shërben qytetarëve, në vend që qytetarët t'i shërbejnë shtetit. Dhe përtej gjithçkaje, që t'i japim vetes një vend në një hapësirë ku liria, siguria dhe bashkëpunimi janë vlerat e parimet themelore të bashkëekzistencës. Një prej kapitujve më të thellë të rrugëtimit tonë drejt kësaj ambicieje ka qenë reforma jonë në drejtësi, një prej reformave më të thella e të vështira që ka ndërmarrë ndonjëherë Shqipëria. Jo sepse ndryshimi i ligjeve është i vështirë, të ndryshosh ligje është e lehtë... dhe në Shqipëri është më e lehtë sesa në Japoni, meqë ra fjala. Të ndryshosh ligje, të ndryshosh zakone, të ndryshosh pritshmëritë dhe të ndryshosh sisteme të ngërthyera është e vështirë. Por reformat që kanë peshë kurrë nuk janë të lehta. Reformat që janë të lehta kurrë nuk kanë peshë. Sot rrugëtimi evropian mbetet motori më i fuqishëm i transformimit që ka në dispozicion Shqipëria. Dhe unë gjithmonë e përsëris se ajo çfarë e bën Shqipërinë të ketë një shans shumë real, dhe jo vetëm Shqipëria por edhe Ballkani Perëndimor"...