Shqipëria një hap më afër BE-së/ Miratohet drafti i EUCP dhe konfirmohet data e konferencës në Bruksel
Përfaqësuesit e 27 vendeve të Bashkimit Europian kanë miratuar draftin paraprak të EUCP-së, duke hapur rrugën për mbajtjen e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare me Shqipërinë më 26 maj në Bruksel.
Takimi është planifikuar të nisë në orën 19:00 dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Gjatë kësaj konference pritet të vlerësohet përmbushja e disa kritereve nga Shqipëria dhe të përcaktohen objektivat përmbyllëse për grupkapitullin “Bazat”.
Ky grup përfshin fusha si funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike, sistemi i drejtësisë, të drejtat themelore, si dhe çështjet e sigurisë.
Po ashtu në diskutim do të jenë edhe kriteret ekonomike, përfshirë prokurimet publike, statistikat dhe kontrollin financiar.
Ky takim shihet si një tjetër etapë në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE.

