Integrimi në BE, Beshku: Shqipëria futet në “skaner teknik” për çdo hap reformash
Hapja e mundësisë për mbylljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian po vlerësohet si një moment historik dhe tejet pozitiv për Shqipërinë, por pas këtij entuziazmi fshihet një monitorim i hekurt.
Çdo hap dhe reformë e ndërmarrë nga institucionet shqiptare tashmë do të futet në një "skaner" të vërtetë teknik nga përfaqësuesit dhe komisionet e posaçme të BE-së.
Rekomandimet e lëna nga Brukseli prekin drejtpërdrejt jetën politike, shoqërore dhe ekonomike të vendit. Fokusi kryesor mbetet te grup-kapitulli i parë, i njohur ndryshe si "themeloret", i cili përfshin reformën në drejtësi, të drejtat themelore, institucionet demokratike dhe administratën publike.
Për të folur më tepër për këtë temë, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", ishte ekspertja e çështjeve për integrim, Klodiana Beshku, e cila e cilësoi këtë grup-kapitull si "thembrën e Akilit" të të gjithë procesit.
Këto pika thelbësore do të qëndrojnë të hapura gjatë gjithë rrugëtimit, deri në mbylljen e kapitujve të tjerë, duke bërë që monitorimi të jetë i pandërprerë. Për shkak të investimit të madh në sistemin gjyqësor dhe reformave të thella që ka kaluar vendi, pritshmëritë e Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë mbeten jashtëzakonisht të larta.
" Ky është një hap shumë pozitiv për vendin, është ajo çfarë të gjithë dashamirësit e integrimit, ekspertët e integrimit, por edhe qytetarët shqiptarë kanë pritur.
Është një vendim pozitiv. Megjithëse aty janë shumë të qarta edhe rekomandimet, siç e përmendët dhe ju në fjalën hyrëse. Janë rekomandime që prekin drejtpërdrejt jetën politike, shoqërore, ekonomike të vendit dhe që pas këtij momenti, pra pas fillimit të çeljes së mundësisë për të mbyllur negociatat, çdo hap, çdo reformë do të monitorohet ngushtësisht nga BE-ja, nga përfaqësuesit e BE-së, nga komisionet e posaçme që do të ngrihen herë pas here dhe, pra është si të thuash i gjithë procesi të futet në një skaner të vërtetë teknik në lidhje me zbatimin e reformave tashmë.
Të ashtuquajturat "themeloret" janë, le të themi thembra e Akilit e këtij procesi. Pasi ato qëndrojnë të hapura gjatë gjithë mbylljes së kapitujve të tjerë.
Dhe për këtë arsye monitorimi është gjatë gjithë kohës i vazhdueshëm. Dhe pritshmëritë, duke pasur parasysh edhe reformën aq të rëndësishme në sistemin gjyqësor që ka kaluar Shqipëria, pritshmëritë janë shumë të larta", u shpreh Beshku.