Referendumi në PD më 30 maj/ Lela zbardh detajet e votimit për rikonfirmimin e lidershipit
Në studion e “Ora News” i ftuar ishte drejtori i zyrës së komunikimit në Partinë Demokratike, i cili foli për zhvillimet brenda partisë, referendumin e thirrur për rikonfirmimin e lidershipit dhe debatet politike rreth procesit të integrimit europian.
Ai u ndal fillimisht te referendumi i 30 majit, ku anëtarësia e Partisë Demokratike pritet të votojë me tre opsione: pro, kundër ose abstenim. Sipas tij, në proces janë përfshirë rreth 80 mijë anëtarë, pas një procesi të gjatë për përditësimin e listave.
“Anëtarësia është rreth 80 mijë persona. Është bërë një punë e gjatë për pastrimin dhe përditësimin e listave, për shkak të mbivendosjeve dhe situatave të krijuara ndër vite brenda partisë.”-tha ai.
Ai foli edhe për përgatitjet për Kuvendin Kombëtar të 30 majit, ku pritet të prezantohen disa ndryshime në statut, të cilat janë duke u hartuar nga një grup pune.
“Po punohet për disa ndryshime në statut nga një grup juristësh dhe ekspertësh të partisë. Nuk flasim për ndryshim të strukturës bazë të drejtimit, por për përshtatje me zhvillimet e reja, përfshirë përfaqësimin dhe diasporën.”-u shpreh Lela.
Në studio u diskutua edhe raporti për integrimin europian dhe qëndrimet e ndryshme politike për të.
Sipas tij, Partia Demokratike mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por ndan procesin teknik të vlerësimit nga kushtet që lidhen me reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e administratës.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

