Kryeministri Rama në Tokyo: Një moment për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Japonisë
“Nder i veçantë pritja me ceremoninë e lartë shtetërore nga Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, në një moment domethënës për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit mes Shqipërisë dhe Japonisë. Vëmendja dhe interesi i saj ndaj Shqipërisë përbëjnë një vlerësim të rëndësishëm për transformimin dhe përparimin e vendit tonë, si edhe për potencialin e madh të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Ky potencial u pasqyrua qartë në vullnetin e përbashkët për ta zgjeruar partneritetin në fusha me rëndësi strategjike, si ekonomia, teknologjia, energjia, mbrojtja dhe turizmi.
Shqipëria mbështet pa rezervë Strategjinë e Përditësuar të Indo-Paqësorit të Lirë dhe të Hapur, si një vizion që promovon paqen, sigurinë, lirinë e lundrimit, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes kombeve në një rajon me rëndësi vendimtare për të ardhmen e botës. Po ashtu, Shqipëria dhe Japonia ndajnë të njëjtin qëndrim të palëkundur në mbështetje të Ukrainës dhe kundër agresionit rus, si një sfidë ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Ishte kënaqësi e veçantë t’i përcillja Kryeministres Takaichi ftesën për të vizituar Shqipërinë vitin e ardhshëm, jo vetëm për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet në vendin tonë, por edhe për një takim dypalësh, me bindjen se miqësia dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Japonisë do të vazhdojnë të forcohen në vitet që vijnë”