Selimaj: Sistemi dual po ndihmon në përgatitjen e stafit për turizmin
Fatjon Selimaj, anëtar i Këshillit të Shoqatës së Restoranteve dhe Bujtinave,i ftuar në emisionin “Epiqendër” të gazetares Sonila Musaj në Ora News, foli për rëndësinë e përgatitjes profesionale të të rinjve në sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë, si edhe për ndikimin pozitiv të sistemit dual në tregun e punës.
Selimaj theksoi se shkollat profesionale që ofrojnë degë të hotelerisë dhe gastronomisë po japin rezultate më të mira falë kombinimit të teorisë me praktikën në biznes.
Sipas tij, përvoja direkte në ambientet e punës është thelbësore për formimin e stafit të ardhshëm në turizëm dhe gastronomi, pasi praktika nuk mund të mësohet plotësisht vetëm në shkollë.
Ai shtoi se shumë nga nxënësit e sistemit dual janë angazhuar pranë bizneseve turistike dhe po fitojnë eksperiencë konkrete, çka pritet të ndikojë pozitivisht në cilësinë e shërbimeve në sektorin e turizmit.
Sipas tij përveç eksperiencës dhe trajnimit, një rol të rëndësishëm luan edhe dëshira personale për t’u zhvilluar profesionalisht në këtë industri.

