“Siguria ushqimore, pengesë drejt BE-së”/ Vuksani: Kërkohet sistem i integruar, jo vetëm institucion
Siguria ushqimore konsiderohet një nga sfidat më të mëdha të Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kapitulli 12, që lidhet me këtë fushë dhe me bujqësinë në tërësi, vlerësohet si një nga më të vështirët për t’u përmbushur sipas standardeve të BE-së.
Në studion e Ora News, eksperte ushqimore Ana Vuksani shpjegon se problemi nuk lidhet vetëm me një institucion, por me ngritjen e një sistemi të plotë funksional.
“Siguria ushqimore nuk është vetëm një institucion, por një sistem i tërë që garanton ushqimin e sigurt për çdo konsumator. Ajo nis nga politikat, fondet, laboratorët dhe kapacitetet profesionale që duhet të funksionojnë së bashku për të kontrolluar tregun dhe për të ulur rreziqet për qytetarët.”-tha ajo.
Sipas saj, ky sistem përfshin disa hallka, duke filluar nga hartimi i politikave, financimi i sektorit, ngritja e laboratorëve funksionalë dhe forcimi i kapaciteteve të inspektimit në terren.
Në këtë mënyrë, synohet që kontrolli i ushqimeve në treg të bëhet sipas standardeve evropiane dhe të minimizohen rreziqet për shëndetin e konsumatorëve.
“Duhet një zinxhir i plotë funksional, ku çdo hallkë të kryejë detyrën e saj. Vetëm kështu mund të arrihet një kontroll real i tregut ushqimor dhe mbrojtje e konsumatorit.”-u shpreh Vuksani.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:

