"MASAKRA E LUSHNJES"/ Kërkoi rekurs për ulje dënimi, Gjykata e Lartë 'nuk e fal' Laert Haxhiun. Mbetet në fuqi burgimi i përjetshëm

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Laert Haxhiun, duke rrëzuar rekursin e paraqitur prej tij kundër vendimeve të mëparshme të gjykatave më të ulëta.

Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sander Simoni, të cilët nuk pranuan kërkesën për prishjen e vendimit të Apelit të Posaçëm.

Laert Haxhiu është shpallur fajtor për ngjarjen e njohur si “Masakra e Lushnjes”, ku humbën jetën Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën edhe dy persona të tjerë, Bujar Turkaj dhe Marius Xhepexhiu.

Për të njëjtën ngjarje të vitit 2017, më herët janë dënuar me burgim të përjetshëm edhe Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi.

Të pandehurit janë akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese, pjesëmarrje në grup kriminal, mbajtje pa leje të armëve dhe prishje të rendit publik.