Shqipëria me nivel të ulët arsimor te të rriturit/ INSTAT: Mbi gjysma e popullsisë me vetëm arsim bazë

Sipas të dhënave të INSTAT, niveli arsimor i popullsisë mbi 25 vjeç në Shqipëri mbetet i ulët dhe i përqendruar kryesisht te arsimi fillor dhe 9-vjeçar.

Rreth 52% e grave dhe 44% e burrave në këtë grupmoshë kanë përfunduar vetëm arsimin bazë. Kjo bën që një pjesë e madhe e popullsisë të ketë vështirësi për t’u punësuar në vende pune që kërkojnë kualifikime më të larta.

Edhe pse për gratë ka një ulje të lehtë krahasuar me vitet e mëparshme, shifrat mbeten të larta në krahasim me vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian. Situatë e ngjashme vërehet edhe te burrat, ku ndryshimet në vite kanë qenë minimale.

Kjo strukturë arsimore ndikon edhe në tregun e punës, duke e bërë më të vështirë rritjen e pagave dhe gjetjen e stafit të kualifikuar për bizneset. Sipas raporteve të fundit, kompanitë shqiptare raportojnë mungesë të aftësive profesionale si një nga problemet kryesore.

Një tjetër problem mbetet edhe pjesëmarrja e ulët në trajnime dhe arsimim gjatë jetës, gjë që kufizon përmirësimin e aftësive të punonjësve.

Ekspertët e lidhin këtë situatë edhe me emigrimin dhe braktisjen e shkollës në dekadat e mëparshme, kur një pjesë e madhe e të rinjve hynin herët në tregun e punës ose largoheshin nga vendi.

Kjo situatë ndikon edhe në zhvillimin ekonomik, pasi sektorët me vlerë të ulët mbeten më dominues dhe investimet në teknologji dhe industri të avancuar kufizohen nga mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar./monitor