Beachbar-i "Copacabana" pa leje/ Gjykata merr VENDIMIN, ja masat për katër drejtuesit e Komisariatit të Sarandës

Gjykata e Sarandës ka caktuar masat e sigurisë për katër drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas një seance gjyqësore që zgjati rreth shtatë orë.

Prokuroria kishte kërkuar “arrest me burg” për 45 ditë për Gëzim Bashllarin dhe Robert Cullajn, si dhe “arrest në shtëpi” për Ajdin Islamajn dhe Andi Duron, duke argumentuar se brenda këtij afati do të paraqiten prova shtesë për hetimet.

Gjatë seancës, mbrojtja kundërshtoi akuzat dhe kërkoi lirimin e tyre, duke pretenduar se ndalimi ishte i pabazuar në prova të mjaftueshme. Edhe vetë të arrestuarit kanë mohuar akuzat dhe kanë deklaruar se kanë vepruar në përputhje me ligjin.

Në vendimin e saj, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë pjesërisht. Për Gëzim Bashllarin dhe Robert Cullajn u caktua masa “arrest me burg” për 30 ditë, ndërsa për dy të tjerët u vendos “arrest në shtëpi”.

Katër zyrtarët e policisë janë arrestuar nën dyshimet për marrje ryshfeti në lidhje me lejimin e ndërtimit të një beach bar-i në Sarandë dhe disa objekteve të tjera pa leje.