Gjykata e Lartë mban vendimin e Apelit/ ‘Hidhet poshtë’ rekursi i Lefter Kokës, Alqi Bllakos dhe të dënuarve të tjerë për inceneratorin e Elbasanit
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm për çështjen e inceneratorit të Elbasanit, duke mos pranuar rekursin e të dënuarve.
Me këtë vendim, mbeten në fuqi dënimet për disa persona të përfshirë në këtë dosje, mes tyre ish-ministri Lefter Koka, i dënuar me 10 vite burg (6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar), dhe ish-deputeti Alqi Bllako, i dënuar me 4 vite burg (2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar).
Po ashtu, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë dënuar secili me nga 10 vite burg (6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar), ndërsa Stela Gugallja është dënuar me 7 vite burg (4 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar).
Dënime janë lënë në fuqi edhe për Pëllumb Abesin dhe Jonida Zeqon, me nga 4 vite burg (2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar), si dhe për Bardhyl Çabirin dhe Serafin Papën, me dënime më të ulëta.
Vendimi është marrë nga trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sander Simoni.

