Eksperti ngre alarmin, Sulaj: Origjina e mishit që hyn nga Kosova duhet verifikuar! AKU duhet të kërkojë menjëherë gjurmueshmërinë e mishit

Në pjesën e tretë të emisionit “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj, vijoi diskutimi mbi atë që emisioni e cilësoi si skandali i mishit të gjedhit me origjinë nga Brazili, i cili sipas investigimit importohet në Kosovë nga stabilimente të pamiratuara nga Bashkimi Europian dhe më pas një pjesë e tij përfundon edhe në tregun shqiptar.

Moderatori Granit Sokolaj deklaroi se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka deklaruar historikisht se mishi i importuar nga Brazili vinte vetëm nga stabilimente të miratuara nga Bashkimi Europian, ndërsa sipas dokumenteve dhe të dhënave të publikuara në emision rezulton e kundërta.

Sipas “Alert”, mishi hyn në Shqipëri me dokumente të Kosovës dhe si “produkt Kosove”, por analiza e statistikave, çmimeve dhe dokumentacionit të importit, sipas emisionit, krijon dyshime të forta se origjina reale e produktit është Brazili.

Për të diskutuar mbi këtë problematikë, në studio iu bashkua edhe Kapllan Sulaj, dekan i Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Kapllan Sulaj, deklaroi se autoritetet shqiptare duhet të kërkojnë menjëherë dokumentacion shtesë dhe gjurmueshmëri të plotë për mishin që hyn nga Kosova drejt Shqipërisë.

Sipas Sulajt, në tregtinë ndërkombëtare të mishit, certifikata veterinare konsiderohet akti final që garanton se i gjithë procesi i kontrollit, inspektimit dhe gjurmueshmërisë është kryer sipas procedurave.

Ai tha se, sipas asaj që rezulton nga komunikimet e “Alert”, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës duket se procedon vetëm mbi bazën e certifikatës veterinare, pa vënë në dispozicion dokumentacion shtesë për origjinën dhe gjurmueshmërinë e produktit.

Sulaj theksoi se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri ka të drejtë të kërkojë informacion shtesë mbi dokumentacionin dhe origjinën e mishit që hyn në tregun shqiptar dhe sipas tij kjo duhet të ndodhë menjëherë.

Eksperti deklaroi se aktualisht nuk ka prova konkrete mbi nivelin e rrezikut apo kontaminimit të mishit, por mungesa e dokumentacionit dhe e gjurmueshmërisë përbën një pikëpyetje serioze për sigurinë ushqimore.

Në debat, moderatori Granit Sokolaj sqaroi se “Alert” i ka kërkuar zyrtarisht AUV-së kopje të certifikatave të importit dhe dosjeve të mishit të gjedhit të ardhur nga stabilimente të pamiratuara gjatë periudhës 1 janar – 31 janar 2025, por sipas tij institucioni fillimisht ka kërkuar kohë dhe më pas ka ndërprerë komunikimin.

Kapllan Sulaj deklaroi se dokumentacioni i importit duhet të vihet në dispozicion të çdo pale të interesuar dhe se në raste të tilla mund të fshihen emrat e kompanive apo importuesve, por jo dokumentacioni teknik dhe gjurmueshmëria e produktit.

Sipas tij, mungesa e transparencës tregon se “diçka nuk shkon” në këtë proces, ndërsa ngriti pikëpyetje edhe mbi përputhshmërinë e praktikave të Kosovës me standardet dhe legjislacionin e Bashkimit Europian për importin e mishit nga vende të treta.

Në emision u rikujtua edhe përgjigjja zyrtare e AUV-së, ku institucioni pranon se në Kosovë nuk ekziston një dispozitë ligjore që e detyron importin e mishit vetëm nga stabilimente të miratuara nga Bashkimi Europian, por se importi realizohet mbi bazën e certifikimit nga autoritetet e vendit eksportues dhe kontrolleve veterinare kufitare.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”