Pritshmëritë e sezonit turistik, Ozuni: Shqipëria po mëson se si ta shesë veten ...! Turistët e huaj po shpenzojnë më shumë se kurrë
Ndërsa sezoni turistik i këtij viti i afrohet kulmit të tij, pritshmëritë mbeten pozitive pavarësisht sfidave globale si inflacioni dhe konfliktet gjeopolitike.
Sipas ekspertit të turizmit, Ferjold Ozuni, tregu ka arritur një normalitet pas tronditjeve fillestare dhe shifrat aktuale janë në përputhje me ato të vitit të kaluar, madje me një tendencë të lehtë rritjeje.
Megjithatë, risia më e madhe e këtij sezoni është një tregues i ri befasues: një rritje e ndjeshme e shpenzimeve nga turistët e huaj në Shqipëri.
Në një analizë të situatës aktuale për “Ora News” eksperti i turizmit Ferjold Ozuni thekson se pas një periudhe pasigurie të shkaktuar nga konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme, i cili preku të gjithë industrinë globale të turizmit, situata është stabilizuar.
“Kemi arritur drejt normalitetit, asaj çka prisnim që në dhjetor”, shprehet ai, duke shtuar se shifrat e rezervimeve janë brenda pritshmërive dhe ndjekin ritmin e rritjes së viteve të fundit.
Elementi më domethënës i këtij viti, sipas ekspertit, është rritja e shpenzimeve për turist. Ky fenomen paraqet një dilemë interesante për sektorin.
“Ajo çka shoh sivjet është që kemi një rritje të shpenzimeve nga turistët e huaj në vendin tonë,” pohon Ozuni. Mbetet për t'u analizuar nëse kjo rritje i atribuohet thjesht rritjes së përgjithshme të çmimeve dhe inflacionit, apo nëse tregon një maturim të tregut shqiptar.
Pyetja që shtrohet është nëse operatorët turistikë vendas kanë mësuar të ofrojnë dhe të shesin produkte e shërbime me vlerë më të lartë, duke gjeneruar kështu më shumë të ardhura nga çdo vizitor.
“Duhet të shohim nëse kjo i raportohet rritjes së çmimeve për shkak të luftës, apo se ne kemi mësuar tashmë se si duhet të shesim dhe çfarë duhet të shesim në Shqipëri”, përfundon Ozuni.
Kjo e dhënë e re mund të sinjalizojë një zhvendosje të rëndësishme për turizmin shqiptar, nga një model i fokusuar vetëm te numri i vizitorëve, drejt një modeli që vlerëson më shumë cilësinë dhe impaktin ekonomik të tyre.
NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE

