Mbi 126 mijë mjete iu nënshtruan kontrollit teknik gjatë katërmujorit
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) bën të ditur se pjesën dërrmuese të kontrolleve teknike gjatë katërmujorit të parë të vitit e zënë automjetet e kategorisë 4+1 dhe 8+1 vende.
Sipas të dhënave zyrtare, janë kontrolluar rreth 112 mijë automjete të kësaj kategorie, që përfaqësojnë 89% të totalit të mjeteve të testuara në këtë periudhë.
Ndërkohë, kontrolleve teknike iu nënshtruan edhe rreth 6900 kamionë, ose 5% e totalit, si dhe 5500 motomjete, që përbëjnë 4,3% të mjeteve të kontrolluara.
DPSHTRR njofton gjithashtu se 2540 mjete me moshë mesatare 22-vjeçare janë çregjistruar përfundimisht, një numër 35% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas institucionit, arsyet kryesore të çregjistrimit lidhen me mungesën e standardeve të sigurisë, amortizimin, mungesën e kushteve teknike dhe nivelin e lartë të konsumit të këtyre mjeteve.
DPSHTRR thekson se kontrolli teknik, i cili kryhet një herë në dy vite, mbetet një nga mekanizmat kryesorë për rritjen e sigurisë rrugore, uljen e rrezikut të aksidenteve dhe respektimin e standardeve teknike dhe mjedisore në qarkullim.
