Banesat rikthejnë 'ethet' e blerjeve/ BSH zbulon rritjen rekord të kredive dhe interesat e ulëta për qytetarët

Vonesa në miratimin e akteve për rivlerësimin e banesave solli një stepje të individëve që kërkonin kredi për blerje banese. Një muaj më parë, Banka e Shqipërisë raportoi se trendi i huasë në këtë sektor ishte në rritje krahasuar me vitin e shkuar, por kurba pësoi një rënie me 1.4 për qind.

Megjithatë, nisja e procesit ka sjellë një çlirim të tregut. Ka qenë muaji mars që ka përmirësuar sektorin dhe ka sjellë një rekord të ri të kredive të miratuara, ku rritja shkoi në 18.2 për qind. Institucioni qendror financiar saktëson se shtesa më e lartë është regjistruar te borxhi në lek, krahasuar me monedhat e huaja.

Duket se të dhënat tregojnë se rritja e çmimit të pronave të paluajtshme nuk ka sjellë efekte negative, ndërsa më herët është raportuar edhe për një rënie të banesave që kishin mbetur pa u shitur.

Sa i përket kursit të këmbimit, leku ka vazhduar të fitojë terren, por në një situatë të stabilizuar, thuajse të njëjtë me nivelin e tre muajve të parë të vitit të shkuar.

Konkurrenca mes bankave dhe rritja e depozitave nga qytetarët dhe kompanitë ka bërë që normat e interesit të jenë të qëndrueshme. Madje, Banka e Shqipërisë i konsideron ato të ulëta.

Interesi mesatar për kredinë e re në lekë, dhënë biznesit, rezultoi 6.5 për qind, por më të lira kanë qenë huatë e mëdha.

Sa i përket kredisë hipotekare të dhënë për individët, norma e interesit rezultoi 3.9 për qind, thuajse e pandryshuar. Edhe në rastet kur qytetarët kanë kërkuar mbështetje financiare për konsum, norma ka shënuar një rënie të lehtë.

Në gjykimin e bankave, nevojat më të larta për kredi u nxitën nga besimi i biznesit për të ardhmen.

“Nga ana tjetër, përdorimi i burimeve të brendshme të financimit dhe perceptimi mbi situatën ekonomike në vend, si dhe perspektivën e saj, dekurajuan kërkesën për kredi të bizneseve. Kërkesa për kredi e individëve ishte e lartë në segmentin e kredive konsumatore dhe e ulët në kreditë për blerjen e banesave”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.