Banka e Shqipërisë: Perspektiva ekonomike mbetet pozitive, inflacioni pranë objektivit
Banka e Shqipërisë vlerëson se perspektiva e zhvillimeve të ekonomisë mbetet pozitive, pavarësisht pasigurive në rritje në mjedisin ndërkombëtar.
Në Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e dytë 2026, BSH-ja thekson se në skenarin bazë, të ndërtuar mbi supozimin e një përfundimi të shpejtë të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe normalizim gradual të çmimeve të energjisë, ekonomia jonë pritet të vijojë rritjen, ndonëse me ritme më të moderuara gjatë vitit 2026.
Sipas raportit, inflacioni pritet të qëndrojë pranë objektivit në horizontin afatmesëm, ndërsa mund të shënojë një rritje të lehtë krahasuar me parashikimet e mëparshme gjatë vitit 2026, por pa devijime të ndjeshme nga objektivi.
Banka e Shqipërisë vlerëson se rreziqet për ekonominë globale janë shtuar, kryesisht për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe luhatjeve të çmimeve të energjisë, të cilat kanë nisur të ndikojnë inflacionin ndërkombëtar.
Megjithatë, sipas Bankës Qendrore, ekonomia shqiptare paraqet premisa të forta për përballimin e goditjeve të jashtme, falë ekspozimit të moderuar ndaj energjisë dhe stabilitetit makroekonomik.
Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2,5%.
