Karakaçi në Athinë: Shqipëria dhe Greqia përforcojnë bashkëpunimin energjetik

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi zhvilloi një takim me homologun e tij grek, Stavros Papastavrou, në kuadër të Konferencës së Energjisë në Athinë.

Gjatë bisedës, u diskutua për bashkëpunimin aktual mes dy vendeve dhe projektet e përbashkëta strategjike në fushën e energjisë. Një nga temat kryesore ishte plani për një linjë të re interkonjeksioni që do të lidhë rrjetet elektrike të Shqipërisë dhe Greqisë, duke përmirësuar sigurinë energjetike rajonale.

“Me ministrin e Energjisë dhe Mjedisit në Greqi, Stavros Papastavrou, në kuadër të Konferencës së Energjisë të mbajtur në Athinë, diskutuam mbi bashkëpunimin e deritanishëm mes dy vendeve tona dhe mbi projekte me rëndësi të përbashkët. Theksuam rëndësinë e një linje interkonjeksioni të re, që Shqipëria dhe Greqia po planifikojnë së bashku”, tha Karakaçi.

Ministrat theksuan gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet bursave të energjisë në të dy vendet, një proces që ka sjellë eficiencë dhe siguri të shtuar në operimin e transaksioneve energjetike.

“Vlerësuam bashkëpunimin e mirë ndërmjet bursës shqiptare të energjisë dhe të Greqisë, që ka ofruar siguri të shtuar sa i takon operimit dhe efiçencës së transaksioneve”, u shpreh ministri.

Ky takim shërben si nxitje për thellimin e marrëdhënieve energjetike mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke u fokusuar në projekte që mbështesin stabilitetin dhe integrimin rajonal.