“Pas shkolle”, nis në 46 shkolla! Ekspertët ngrenë pikëpyetje, Mehmeti: Projekti ende i pastudiuar
Ka nisur në 46 shkolla të Tiranës pilotimi i programit ‘Pas Shkolle’, një nismë e Ministrisë së Arsimit që synon aktivitete dhe mbështetje për nxënësit pas mësimit. Per ekspertin e arsimit Ndriçim Mehmeti ky projekt është ende i pastudiuar dhe pa infrastrukturën e nevojshme.
Nga kërcimi dhe arti pamor, te sporti e deri tek ndihma për detyrat e shtëpisë. Kështu po i kalojnë orët pas mësimit disa prej nxënësve në shkollat e Tiranës, ku ka nisur pilotimi i programit “Pas Shkolle”.
Një nismë që, sipas Ministrisë së Arsimit, synon ta kthejë shkollën në një hapësirë më aktive dhe më pranë fëmijëve.
Programi pilot, aktualisht po zbatohet në 46 shkolla të kryeqytetit dhe synon të bashkojë programet ekzistuese në një qasje më të strukturuar, duke përfshirë iniciativa si arti dhe zejet, “Toka në Shkollë”, ekipet sportive dhe shkolla si qendër komunitare.
Sipas Ministrisë së Arsimit, kjo nismë nuk synon vetëm zgjatjen e qëndrimit të nxënësve në ambientet shkollore, por edhe krijimin e një mjedisi të sigurt dhe frymëzues, ku fëmijët të zhvillojnë talentet, aftësitë sociale dhe frymën e bashkëpunimit.
Programi parashikon gjithashtu aktivitete sportive, artistike dhe projekte komunitare, ndërsa me skemën e re të miratuar nga qeveria është dyfishuar edhe pagesa për orë për mësuesit që do të angazhohen në këtë program.
Por për ekspertët e arsimit, kjo nismë është e pa studiuar mirë.
Sipas Ndriçim Mehmetit projekti është prezantuar pa një analizë të qartë mbi nevojat reale të nxënësve dhe pa kushtet e nevojshme për ta bërë funksional në praktikë.
Mehmeti sugjeron që, përpara zbatimit të plotë të projektit, të ndërtohen mensat dhe hapësirat sportive, të certifikohen kuzhinat sipas standardeve dhe të krijohet një skemë sociale, ku familjet në nevojë të përfitojnë falas, ndërsa pjesa tjetër të kontribuojë me një tarifë simbolike.

