AUV dyshohet se mashtroi konsumatorët, “Alert”: U fshehën dokumentet për mishin nga stabilimente të pamiratuara nga BE
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) dyshohet se ka mashtruar konsumatorët dhe ka cenuar sigurinë ushqimore, duke lejuar importin e mishit nga Brazili dhe vende të Amerikës Latine nga stabilimente të pamiratuara nga Bashkimi Europian. Kjo ishte një nga deklaratat kryesore të ngritura në emisionin investigativ “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj.
Sipas investigimit, AUV ka deklaruar publikisht për vite me radhë se mishi i importuar nga Brazili vinte vetëm nga stabilimente të miratuara nga Bashkimi Europian, ndërsa në përgjigjet zyrtare drejtuar redaksisë së “Alert” ka pranuar se në Kosovë nuk ekziston një dispozitë ligjore që e detyron importin vetëm nga stabilimente të certifikuara nga BE-ja.
Moderatori Granit Sokolaj deklaroi se AUV jo vetëm që ka qenë jokorrekte me konsumatorët, por sipas tij po tenton edhe të fshehë dokumentacionin që lidhet me importet e mishit nga stabilimente të pamiratuara.
Në një kërkesë zyrtare drejtuar AUV-së, redaksia e “Alert” kërkoi informacion se prej cilës periudhë është lejuar importi nga stabilimente të pamiratuara nga Bashkimi Europian, cilat kompani në Kosovë realizojnë këto importe, si edhe sasitë e mishit të gjedhit të ardhur nga Amerika Latine gjatë viteve 2024-2025.
Po ashtu, emisioni kërkoi kopje të dosjeve të importit për periudhën 1 janar 2025 – 31 janar 2025, duke iu referuar ligjit për qasjen në dokumente publike në Kosovë.
Sipas investigimit, fillimisht AUV kërkoi shtyrje afati për kthimin e përgjigjeve, duke argumentuar volum të madh dokumentacioni. Më pas, institucioni refuzoi të vinte dokumentet në dispozicion të redaksisë, duke deklaruar se dosjet mund të konsultoheshin vetëm fizikisht në ambientet e AUV-së.
“Alert” deklaroi se i është përgjigjur institucionit duke theksuar se mbrojtja e konsumatorit, shëndeti publik dhe e drejta për informim prevalojnë mbi çdo pretendim për sekret tregtar dhe se emrat e kompanive apo certifikatat e importit nuk përbëjnë informacion të klasifikuar.
Pas refuzimit të dokumentacionit, Qendra Alert iu drejtua me ankesë Agjencisë për Informim dhe Privatësi të Kosovës, institucion homolog me strukturat e informimit publik në Shqipëri. Sipas emisionit, institucioni në Kosovë ka pranuar zyrtarisht ankesën dhe çështja është në shqyrtim.
Në vijim të investigimit, “Alert” kërkoi informacion edhe nga Dogana e Kosovës mbi sasitë e mishit të gjedhit të importuar nga Amerika Latine për vitet 2024-2025, si dhe mbi numrin e krerëve të gjedhit të importuar në Kosovë gjatë të njëjtës periudhë.
Sipas investigimit, statistikat e siguruara nga Dogana e Kosovës tregojnë sasi shumë të mëdha importi të mishit nga Brazili dhe vende të tjera të Amerikës Latine, ndërsa emisioni ngriti dyshime se një pjesë e këtij produkti përfundon edhe në tregun shqiptar përmes rieksportit nga Kosova.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”

