BORXHI I JASHTËM RA NË 39 %/ Shqipëria ul barrën e borxhit dhe rrit ‘mburojën’ valutore ndaj krizave
Stoku i borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë ka rënë në 37.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, megjithatë në vlerë monetare është shënuar një rritje me 1.1%, e ndikuar kryesisht nga sektori privat.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, totali i huasë së huaj ka arritur në 10,276 milionë euro në fund të vitit 2025, krahasuar me 10,141 milionë euro një vit më parë.
Rënia me 2.7 pikë përqindje pasqyron rritjen e PBB-së dhe forcimin e lekut kundrejt monedhave të huaja.
Borxhi afatgjatë përbën rreth 89.5% të totalit.
Megjithatë, aftësia paguese ka shënuar një përmirësim të dukshëm, duke konfirmuar qëndrueshmërinë e ekonomisë së vendit. Rritja e eksporteve dhe e të ardhurave fiskale kanë qenë faktorët kryesorë në këtë ecuri.
“Raporti i stokut të borxhit të qeverisë së përgjithshme ndaj të ardhurave fiskale u ul në 59.0%, nga 65.5% një vit më parë”, shprehet Banka e Shqipërisë.
Po ashtu, stoku i rezervës valutore ishte rreth 446% e borxhit të jashtëm afatshkurtër, duke dëshmuar mjaftueshmëri në përballimin e detyrimeve afatshkurtra.

