Mish i ngrirë nga Brazili që hyn në Shqipëri si ‘prodhim Kosove’? Shifrat doganore që ngrenë alarmin
Në pjesën e dytë të emisionit “Alert”, moderuar nga Granit Sokolaj, u publikuan të dhëna doganore që sipas emisionit ngrenë dyshime për rieksportin e mishit të ngrirë nga Brazili drejt Shqipërisë me dokumente të Kosovës.
Sipas shifrave të publikuara në emision, gjatë vitit 2024 në Shqipëri kanë hyrë nga Kosova rreth 508 mijë kilogramë mish i ngrirë me një çmim mesatar prej 313.4 lekësh për kilogram, ndërsa në të njëjtën periudhë janë importuar rreth 128 mijë kilogramë mish i freskët me një çmim mesatar prej 584 lekësh për kilogram.
Të njëjtat diferenca janë konstatuar edhe gjatë vitit 2025, ku sipas të dhënave doganore mishi i ngrirë është importuar me rreth 323 lekë për kilogram, ndërsa mishi i freskët me rreth 668 lekë për kilogram.
Moderatori Granit Sokolaj ngriti pikëpyetje mbi logjikën ekonomike të këtyre çmimeve, duke theksuar se procesi i ngrirjes, ruajtjes në kontejnerë frigoriferikë dhe transporti i specializuar duhet teorikisht ta bënin mishin e ngrirë më të shtrenjtë se mishin e freskët, nëse të dy produktet do të kishin të njëjtën origjinë.
Në emision u theksua se çmimi i mishit të ngrirë që hyn nga Kosova në Shqipëri përkon pothuajse me çmimin e importit të mishit brazilian në Kosovë. Sipas dokumenteve të referuara nga “Alert”, çmimi mesatar i mishit brazilian të importuar në Kosovë ka qenë rreth 3.59 euro për kilogram në vitin 2024 dhe rreth 4.3 euro në vitin 2025.
Sipas ekspertëve të ftuar në studio, fakti që mishi i ngrirë shitet me çmime më të ulëta se mishi i freskët ngre dyshime se produkti nuk ka origjinë nga fermat e Kosovës, por mund të jetë mish i importuar nga Brazili apo vende të tjera të Amerikës Latine dhe më pas i rieksportuar drejt Shqipërisë me dokumente kosovare.
Në debat u ngritën shqetësime edhe për sigurinë ushqimore dhe gjurmueshmërinë e produktit. Ekspertët paralajmëruan se në vende si Brazili apo Argjentina krijohen stoqe të mëdha mishi të ngrirë dhe ekziston rreziku që në treg të futet mish me cilësi të dyshimtë ose me afat ruajtjeje të tejkaluar, i cili më pas përdoret në sallame, suxhukë, pleskavica dhe produkte të tjera të përpunuara.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”

