“Alert”: “Topi mes shalësh” për BE-në dhe rreziku që po u futet shqiptarëve në pjatë

Emisioni “Alert” në Ora News, i moderuar nga Granit Sokolaj, nisi këtë të premte me deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe drejtoreshës së përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Blerina Gylameti, për sfidat e sigurisë ushqimore në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Në sinkronin hapës të emisionit, Rama paralajmëroi bizneset e sektorit ushqimor se koha për justifikime ka përfunduar dhe se standardet europiane duhet të përmbushen brenda afateve.

“Unë i trembem vetëm neglizhencës allashqiptarshe që ‘hajde se ka kohë’. I trembem asaj idesë që do ta gjejmë në fund rrugën si t’ia rrëshqasim topin Bashkimit Europian nëpër shalë. Nuk ndodh kjo”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, drejtoresha e AKU-së, Blerina Gylameti, theksoi se sfida kryesore është rritja e standardeve të stabilimenteve ushqimore, funksionimi i thertoreve sipas kërkesave europiane dhe menaxhimi i nënprodukteve me origjinë shtazore.

Sipas saj, çdo subjekt duhet të plotësojë kërkesat e BE-së në kohën e duhur, pasi në të kundërt rrezikon të mbetet jashtë tregut në momentin e anëtarësimit. Gylameti tha se po synohet ndërtimi i një plani konkret me mbështetje financiare të targetuar, afate të qarta për përmirësim dhe bashkëpunim të ngushtë me biznesin.

Pas transmetimit të sinkronit, moderatori Granit Sokolaj tha se “topi mes shalësh” për Bashkimin Europian ka një problem tjetër, pasi sipas tij ky problem po u futet në pjatë shqiptarëve, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë.

Sokolaj u shpreh se siguria ushqimore është kthyer në vëmendje të institucioneve publike, veçanërisht të kryeministrit dhe AKU-së, por problematikat mbeten të shumta.

Sipas tij, neglizhenca nuk lidhet vetëm me bizneset dhe operatorët e sektorit ushqimor, por edhe me institucionet, të cilat, siç tha ai, kanë dijeni për atë që ndodh konkretisht me importin e mishit nga Kosova.

Në fokus të emisionit eshte  mishi i gjedhit nga Brazili, kryesisht nga Amerika Latine, dhe mënyra se si ai hyn e tregtohet në rajon.

Sokolaj tha se problematika e sigurisë ushqimore nuk mund të trajtohet më vetëm si debat teknik apo institucional, por si një çështje që lidhet drejtpërdrejt me konsumatorin dhe standardet që Shqipëria duhet të garantojë në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Ai paralajmëroi se transparenca, kontrolli dhe gjurmueshmëria e produkteve ushqimore do të jenë një nga sfidat më të mëdha të tregut shqiptar në vitet e ardhshme.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”