Mashtrimi me Sigurinë: Si AUV gënjeu qytetarët e Kosovës për VITE ME RADHË

Në “Alert” këtë të premte u trajtua çështja e mishit të gjedhit nga Brazili dhe dyshimet për një skemë rieksporti nga Kosova drejt Shqipërisë, ndërsa emisioni investigativ i moderuar nga Granit Sokolaj ngriti pikëpyetje mbi kontrollin veterinar, gjurmueshmërinë e produktit dhe standardet e sigurisë ushqimore.

Në emision u theksua se urdhri nr. 294, datë 13.06.2006 mbi importin e mishit nga Brazili, vazhdon të jetë ende në fuqi dhe sipas “Alert”, pikërisht këtu nis edhe skandali.

Sipas investigimit, qytetarët e Kosovës konsumojnë mish nga Brazili që vjen nga stabilimente të pamiratuara nga Bashkimi Europian, ndërsa i njëjti produkt përfundon edhe në tregun shqiptar përmes rieksportit nga Kosova.

Moderatori Granit Sokolaj deklaroi se emisioni është ndërtuar për Shqipërinë dhe Kosovën, duke theksuar se Ora News transmeton edhe në Kosovë nëpërmjet platformës Art Motion, ndërsa Qendra Alert funksionon si organizatë për mbrojtjen e konsumatorit si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, si entitet i pavarur.

Ai tha se gjatë investigimit janë zhvilluar komunikime me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në Shqipëri, si edhe me autoritetet doganore në Kosovë, të cilat sipas tij kanë kthyer përgjigje në kohë reale dhe me korrektësi.

Sipas “Alert”, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës, AUV, fillimisht ka kthyer disa përgjigje për pyetjet e adresuara nga redaksia, por më pas ka ndërprerë komunikimin dhe nuk ka dhënë shpjegime se si është lejuar importi i mishit nga stabilimente të pamiratuara nga Bashkimi Europian.

Emisioni theksoi se AUV ka deklaruar vazhdimisht në media se mishi i Brazilit që hyn në Kosovë vjen vetëm nga stabilimente të miratuara nga Bashkimi Europian. Sipas “Alert”, vetë institucioni ka publikuar më herët deklarata të tilla në media kosovare, gjatë rasteve kur kishte debate mbi sigurinë e mishit brazilian.

Në emision u bë me dije se AUV është ftuar të marrë pjesë në studio ose online për të dhënë sqarime publike lidhur me këtë çështje. Sipas redaksisë, komunikimet janë zhvilluar përmes emailit, telefonit dhe zyrave të komunikimit të institucionit, por përfaqësuesit e AUV nuk kanë pranuar të marrin pjesë në emision.

“Alert” deklaroi se pas dyshimeve të ngritura për mishin brazilian me dokumente të Kosovës, redaksia i ka dërguar edhe një ankesë zyrtare Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës për të kërkuar sqarime mbi mënyrën e importit dhe kontrollit të produktit.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ALERT” NË “ORA NEWS”