"Të rinjtë shqiptarë po largohen nga puna online"/ Muça: Bie interesi për freelancing dhe “outsourcing”

Në një lidhje direkte për Ora News ishte Erion Muça, ekspert punësimi i cili tregoi se si të rinjtë shqiptarë që vitet e fundit iu drejtuan punës online dhe tregut ndërkombëtar, duket se po e shohin gjithnjë e më pak si zgjedhje afatgjatë këtë formë punësimi.

Nga programimi, marketingu dixhital, dizajni grafik e deri te konsulenca ligjore dhe e biznesit, shumë të rinj u angazhuan si freelancer ose në kompani që ofrojnë shërbime “outsourcing” për tregje të huaja.

Kjo u konsiderua një mundësi e shpejtë për të fituar eksperiencë dhe të ardhura më të larta.

Por së fundmi, vihet re një rënie e interesit për punën online. Shumë të rinj po zgjedhin të kthehen drejt punës në ambiente fizike, duke kërkuar më shumë kontakt me kolegët dhe zhvillim më të qartë të karrierës.

“Bëhet fjalë për të rinj që ofrojnë shërbime në teknologji informacioni, programim, marketing, dizajn grafik dhe konsulencë biznesi. Shumë prej tyre punojnë si freelancer ose në kompani outsourcing në Shqipëri që shërbejnë tregje të huaja. Vërehet një rënie e interesit për punën online, pasi të rinjtë kërkojnë më shumë kontakt me ambientin e punës dhe zhvillim profesional në mënyrë më të drejtpërdrejtë."-tregoi ai.

Sipas tij, puna online, ndonëse ofron fleksibilitet, shpesh nuk i jep të rinjve ndjesinë e rritjes së shpejtë në karrierë apo ndërveprimit social që ata kërkojnë.

“Në shumë raste, të rinjtë e shohin më të vështirë promovimin profesional përmes punës online. Mungesa e një ambienti fizik pune dhe e komunikimit të përditshëm me kolegët ndikon në vendimin e tyre për t’u rikthyer drejt punës tradicionale.”-u shpreh Muça.

Tendenca e fundit tregon një ndryshim në mënyrën se si të rinjtë shqiptarë po e shohin tregun e punës, nga fleksibiliteti i punës online drejt stabilitetit dhe strukturës së punës në zyra.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: