QEVERIA U DHA 50 LEK PËR LITËR NAFTË!/ Shoqatat e Transportit: Skema të zgjatet deri në shtator. Jemi në rrezik
Shoqatat e transportit e mirëpritën vendimin e qeverisë për subvencionimin me 50 lekë për litër naftë, masë që do të zbatohet me efekt nga muaji mars, kur nisi kriza e karburanteve si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, ato kërkojnë zgjatjen e mbështetjes deri në muajin shtator.
Në kërkesën dërguar qeverisë, vetëm disa orë pas miratimit të skemës, operatorët e transportit argumentojnë se çmimet e larta të karburantit po e vështirësojnë përballimin e kostove dhe po rrezikojnë normalitetin e shërbimit publik.
Vendimi i qeverisë pritet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe u hap rrugë operatorëve të transportit që të dorëzojnë në administratën tatimore dokumentet për të përfituar subvencionin.
Sipas vendimit, kompensimi do të llogaritet mbi shumën e konsumit të karburantit për periudhën mars, prill dhe maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën shoqëri.
Efektet financiare të kësaj skeme llogariten në vlerën e 250 milionë lekëve, ose rreth 2.6 milionë euro.

