Mbi 53 milionë lekë dëmshpërblim për blegtorët e dëmtuar nga murtaja e ruminantëve

Këshilli i Ministrave miratoi sot dëmshpërblimin për blegtorët,  kafshët e të cilëve janë prekur nga sëmundja e murtajës së ruminantëve të vegjël gjatë vitit 2025.

Sipas vendimit, masa totale e dëmshpërblimit arrin në 53 345 500 lekë dhe do t’u shpërndahet pronarëve të kafshëve që janë therur, eliminuar, shkatërruar ose groposur pas konfirmimit pozitiv të sëmundjes nga analizat e kryera nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

Vendimi parashikon që fondi i dëmshpërblimit të përballohet nga buxheti i vitit 2026, i miratuar për Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të programit buxhetor “Siguria ushqimore dhe mbrojtja e konsumatorit”.

Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”.