Karakaçi: Shqipëria e pozicionuar mirë në rajon për energjinë dhe interkonjeksionin
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi mori pjesë sot në konferencën e energjisë të organizuar nga prestigjiozja “Financial Times” në Athinë, ku u diskutuan sfidat dhe arritjet e vendeve të rajonit në sektorin energjetik.
Në panelin me ministrat e Energjisë të Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Moldavisë dhe Gjeorgjisë, ministri Karakaçi theksoi rëndësinë e interkonjektivitetit rajonal dhe pozicionin e fortë të Shqipërisë në lidhjet me vendet fqinje.
“Shqipëria është e mirëpozicionuar me ndërlidhjet e transmetimit me të gjitha vendet fqinje të rajonit, përfshirë linjën që tashmë është mbi 90% e përfunduar me Maqedoninë e Veriut. Po ashtu, po punon edhe për interkonjeksionin me Italinë”, deklaroi ministri Karakaçi.
Ai gjithashtu u ndal tek partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përmendur marrëveshjet e nënshkruara javën e kaluar që synojnë ta transformojnë Vlorën në një qendër rajonale për transmetimin e gazit natyror.
“Shqipëria prodhon 100% të energjisë nga burimet e rinovueshme dhe ka kapacitetin të përthithë edhe gaz natyror pa cenuar asnjë nga objektivat e BE-së për energjinë e rinovueshme”, shtoi ai.
Një tjetër çështje, tek e cila u ndal ministri, ishte diversifikimi i burimeve të rinovueshme, ku ai përmendi rritjen e energjisë fotovoltaike.
“Nga një vend që prodhonte vetëm energji hidro, tashmë mbi 10% e prodhimit tonë energjetik vjen nga energjia fotovoltaike, falë masave të qeverisë për ankandet fotovoltaike dhe investimeve private”, tha Karakaçi.
Gjatë konferencës, ministri zhvilloi edhe një takim dypalësh me ministrin grek të energjisë, ku diskutuan për bashkëpunimin në energjinë elektrike dhe projektin e linjës së dytë të interkonjeksionit Shqipëri-Greqi.
“Do të ketë një rëndësi të veçantë për zhvillimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri”, nënvizoi ai.
Ministri Karakaçi ftoi gjithashtu Greqinë të bashkëpunojë më tej në kuadër të bursës shqiptare të energjisë elektrike.
“Bursa jonë ka pasur një zhvillim të madh dhe bashkëpunimi me palën greke ka qenë vendimtar për sigurinë dhe eficiencën e transaksioneve”, tha ai.
Konferenca e Energjisë e Financial Times ofroi një platformë për dialog ndërkombëtar mbi energjinë, ndërlidhjen dhe inovacionin në sektorin energjetik.

