MERRET VENDIMI/ Miratohen shpronësime për ndërtimin e rrugëve Elbasan-Lekaj dhe Kthesa e Bërdicës-Ura e Bahçallëkut
Këshilli i Ministrave miratoi gjatë mbledhjes së sotme dy vendime për shpronësimin e pronave private që preken nga realizimi i projekteve të rëndësishme infrastrukturore në vend.
Vendimi i parë lidhet me projektin “Studim-projektim aksi rrugor Elbasan-Lekaj, Korridori 8, ndërtim aksi rrugor Papër-Ura e Grykshit”.
Sipas vendimit, pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ky projekt do të kompensohen me vlerë të plotë për tokat e llojit “arë”.
Fondi total i shpronësimit është 14 667 525 lekë dhe do të përballohet nga buxheti i shtetit përmes fondit të shpronësimeve në Bankën e Shqipërisë.
Procesi i shpronësimit bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe pritet të përfundojë brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.
Gjithashtu qeveria miratoi edhe shpronësimet për projektin “Ndërtim, rruga Kthesa e Bërdicës – Ura e Bahçallëkut”. Për këtë projekt, kompensimi i pronarëve do të përfshijë pasuri të kategorive “arë”, “truall”, “pemëtore” dhe “ndërtesë”.
Vlera totale e kompensimit është 57 455 087.10 lekë. Procesi i shpronësimit bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa procedurat e shpronësimit dhe regjistrimit të pronësisë do të kryhen brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e vendimit.
Në të dyja rastet, Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të pezullojë transaksionet mbi pronat e prekura deri në përfundimin e procedurave të regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të shtetit dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Vendimet hynë në fuqi menjëherë dhe do të botohen në Fletoren Zyrtare.

