Agjencia Kombëtare e Pyjeve merr kompetenca shtesë në funksion të procesit të integrimit

Këshilli i Ministrave miratoi sot disa ndryshime dhe shtesa në vendimin për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve.

Sipas vendimit, në të gjithë përmbajtjen e aktit normativ emërtimi “Ministria e Turizmit dhe Mjedisit” zëvendësohet me termin “ministria përgjegjëse për pyjet”.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu shtimin e kompetencave të reja për Agjencinë Kombëtare të Pyjeve në kuadër të procesit të integrimit europian.

Agjencia do të kontribuojë në përafrimin dhe zbatimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian në fushën e pyjeve, biodiversitetit dhe ujërave, si dhe do të kryejë inventarizimin, monitorimin dhe raportimin e gjendjes së pyjeve sipas standardeve europiane.

Po ashtu, AKP-ja do të kontribuojë në politikat për ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e biodiversitetit përmes menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, si dhe në përfitimin nga programet dhe fondet e Bashkimi Evropian.

Vendimi sjell ndryshime edhe në mënyrën e emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm të agjencisë, duke përcaktuar se emërimi do të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ndërkohë, marrëdhëniet e punës së punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve dhe agjencive rajonale të saj do të rregullohen sipas legjislacionit të shërbimit civil, ndërsa ato të punonjësve administrativë sipas dispozitave të Kodit të Punës.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.