MBI 2000 BIZNESE TË REJA NË PRILL/ Kryesojnë tregtia dhe shërbime, dominon kapitali 100 % shqiptar

Mbi 2 mijë biznese të reja u regjistruan në Shqipëri gjatë muajit prill, ku sektori i tregtisë dhe shërbimeve kryeson hapjet e reja. Tirana mbetet qendra kryesore e aktivitetit ekonomik, ndërsa bizneset me kapital 100% shqiptar vijojnë të dominojnë tregun.

Tregtia me shumicë e pakicë është sektori ku u hapën më shumë biznese të reja gjatë muajit prill, sipas të dhënave zyrtare të Qendrën Kombëtare të Biznesit që raporton një rritje të subjekteve të reja të regjistruara gjatë muajit që lam pas, krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat tregojnë se nga 2009 subjekte të reja që u licensuan ose kërkuan regjistrim, 479  kishin si veprimtari tregtinë.

Akomodimi dhe shërbimi ushqimor u rrit me 341 subjekte të reja dhe shërbimet administrative e mbështetëse me 151 regjistrime.

Numri total i aplikimeve në regjistra arriti në 14.615, nga 13.873 aplikime në prill të vitit të kaluar, ose 5,35% më shumë, sipas regjistrit të Qendrës Kombëtare të Biznesit

Tirana, vijon të mbajë peshën kryesore të aktivitetit ekonomik me 1026 subjekte të regjistruara vetëm në një muaj. Pas saj renditen Vlora me 260 regjistrime dhe Durrësi me 225.

Sipas të dhënave të Regjistrit Tregtar, bizneset me kapital 100% shqiptar vijojnë të dominojnë tregun, me 1762 subjekte të regjistruara në prill 2026, ndërsa 212 subjekte rezultojnë me kapital tërësisht të huaj dhe 32 me kapital të përbashkët shqiptar dhe të huaj.

Aktivitet të konsiderueshëm kanë shfaqur gjithashtu ndërtimi, informacioni dhe komunikacioni, transporti dhe magazinimi, si edhe pasuritë e paluajtshme.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se gjatë muajit prill 2026 janë regjistruar 629 subjekte të administruara nga gra.

Ndërkohë, në Regjistrin e Pronarëve Përfitues janë regjistruar 496 subjekte gjatë muajit prill 2026, ku dominojnë shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar me 466 regjistrime.