Stacionet e plazhit, kontratat e qirave për sezonin 2026 do të lidhen brenda qershorit

Këshilli i Ministrave miratoi sot disa shtesa në vendimin “Për miratimin e rregullores për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, duke parashikuar afate të reja dhe mundësi amendimi për kontratat e përdorimit të hapësirave bregdetare.

Sipas vendimit, për vitin 2026 afati për lidhjen e kontratave të qirasë për përdorimin e stacioneve të plazhit do të jetë brenda muajit qershor.

Ndryshimet e miratuara parashikojnë gjithashtu mundësinë e amendimit të kontratave ekzistuese apo të reja për përdorimin e hapësirës së plazhit, në rastet e ndryshimeve në kapacitetin e strukturës akomoduese, zonës së plazhit apo zhvillimeve në zonën bregdetare.

Në vendim përcaktohet se çdo ndryshim do të kryhet vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të palëve dhe përmes nënshkrimit të amendimeve përkatëse në kontratë.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministria përgjegjëse për Turizmin, Agjencia Kombëtare e Bregdetit dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.