"Shqipëria po negocion me ritëm rekord", Balla: Reforma territoriale dhe zgjedhore të mbyllen me konsensus

Në një fjalim të mbajtur në Kuvend, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla,  ka thekuar përparimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian, duke e cilësuar atë si një moment historik që kërkon qartësi politike dhe përgjegjësi institucionale.

Sipas tij, vendi ka kaluar nga faza e aspiratave në atë të veprimeve konkrete dhe rezultateve të matshme.

Një nga arritjet kryesore sipas Ballës mbetet hapja e negociatave e gjashtë grup-kapitujve negociues brenda vetëm 13 muajve.

Ky zhvillim u përshkrua ngadeputeti socialist  si një "ritëm historik dhe i paprecedentë" që ka vendosur një rekord të ri në historinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Në fjalën e tij  drejtuar deputetëve, ai sqaroi se ky progres nuk është një rastësi apo thjesht pasojë e momentit të favorshëm gjeopolitik, por një fryt i një vullneti të qartë politik, disiplinës institucionale dhe një koordinimi të gjerë mes qeverisë, Kuvendit, pushtetit vendor, shoqërisë civile dhe institucioneve të drejtësisë.

Ndër të tjera ai  theksoi rolin i pazëvendësueshëm i Kuvendit në këtë proces kombëtar.

Balla prezantoi dhe shifra konkrete që sipas janë deshmi e përshpejtimit e reformave. Gjatë periudhës së fundit, Shqipëria ka miratuar 222 akte ligjore dhe nënligjore në funksion të integrimit, krahasuar me vetëm 82 në periudhën paraardhëse.

"Kemi trefishuar ritmin e harmonizimit ligjor dhe institucional", deklaroi ai, duke theksuar se ambicia është që ky ritëm të dyfishohet në javët dhe muajt në vijim me synimin e qartë që Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota e BE-së për  vitin 2030.

Taulant Balla: “Të nderuar kolegë deputetë, zonja e zotërinj, të dashur qytetarë shqiptarë. Sot nuk jemi thjesht dhe vetëm para një teksti për ta votuar.

Jemi përpara një momenti, i cili kërkon mbi të gjitha qartësi politike, vetëdije historike, por edhe përgjegjësi institucionale. Anëtarësimi i Shqipërisë sonë të përbashkët në Bashkimin Evropian është objektivi ynë strategjik, kombëtar, madhor i Shqipërisë.

Është objektivi që orienton axhendën tonë kombëtare të reformave, transformimin evropian të shtetit, të ekonomisë dhe të shoqërisë shqiptare. Pa dyshim nuk është një aspiratë e përgjithshme, as edhe një slogan i bukur për t'u përsëritur në raste të tilla solemne si i sotmi, por ky është ai boshti ku duhet të rrotullohet veprimi ynë politik dhe institucional çdo ditë.

Dhe e vërteta është se Shqipëria ndodhet sot në një fazë të re, ne kemi kaluar nga faza e aspiratës në fazën e veprimit, nga premtimet tek rezultatet e verifikueshme.

Kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe një tregues i qartë se vendi ynë, Shqipëria jonë e përbashkët, nuk po ecën me hapin e dëshirës, por me hapin e realizimit.

Ky përparim nuk ka ardhur thjesht dhe vetëm rastësisht, apo për shkak të momentit gjeopolitik, por ai është një rezultat i vullnetit, është rezultat i disiplinës institucionale dhe i koordinimit, edhe këtu duhet ta themi, mes qeverisë, kuvendit, pushtetit vendor shoqëruisë civile dhe institucioneve të drejtësisë.

Ai është një proces kombëtar, ku parlamenti ka rolin e pazëvendësueshëm.

Në kuvend përkthehen standartet europiane në ligje, apo jo? Këtu ushtrohet kontrolli mbi ekzekutivin, të cilin duhet ta përmirësojmë. Këtu zhvillohet debati demokratik, ku do të doja shumë që gjuha e sotme të ishte gjuha e përditshme, ndërkohë që duhet të ndërtojmë konsensusin e nevojshëm kombëtar për integrimin.

E për këtë arsye, përgjegjësia e Kuvendit si shprehje e si vullnetit politik për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, është sot, nesër, pasnesër, vitin e ardhshëm, vitin pasardhës, deri në atë vizionin që duhet ta bëjmë vizion të përbashkët Shqipëria 2030, anëtarë e Bashkimit Evropian.