Karakaçi: Rrugët me pagesë do të kenë alternativa pa tarifë për qytetarët

Ministrii i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi bëri të ditur se procesi për përzgjedhjen e firmës fituese për ndërtimin e akseve rrugore Kashar–Balldren dhe Milot–Lekaj po vijon sipas procedurave ligjore dhe konkurruese, ndërsa koncesioni është në fazë verifikimi për përputhshmërinë me kuadrin rregullator.

Në konferencën për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministri, në interes të pyetjes së një gazetari për këto akse, deklaroi se “aksi Milot–Balldren përfaqëson një investim të rëndësishëm strategjik, me ndikim në zhvillimin e Korridorit Adriatiko–Jonian dhe në përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore të veriut të vendit, veçanërisht të qarkut të Shkodrës”.

“Procesi po ndjek të gjitha hapat ligjorë dhe konkurrues. Aktualisht po kryhet verifikimi i plotë i procedurës dhe pritet shpallja e fituesit për këtë investim të rëndësishëm”, tha ai.

Në lidhje me tarifimin e përdorimit të këtyre akseve, ministri theksoi se rrugët e kategorisë A janë me pagesë. Sipas tij kjo është një praktikë e aplikuar në shumë vende të Evropës, ndërsa paralelisht janë të disponueshme edhe rrugë alternative pa pagesë për qarkullim.

Sipas ministrisë, kjo skemë nuk cenon lëvizjen e qytetarëve, pasi përdoruesit do të kenë mundësi zgjedhjeje midis akseve me pagesë dhe atyre ekzistuese pa tarifë.