Rritet interesi për trashëgiminë kulturore, mbi 219 mijë vizitorë në janar-prill

Interesi për trashëgiminë kulturore shqiptare vijon të njohë rritje, duke reflektuar zgjerimin e turizmit kulturor dhe promovimin e siteve historike të vendit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha sot se “gjatë periudhës janar–prill 2026, plot 219.423 vizitorë vendas dhe të huaj kanë zgjedhur të vizitojnë sitet tona të trashëgimisë kulturore”.

Sipas shifrave të publikuara nga Gonxhja krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, numri i vizitorëve është rritur me 114%, ndërsa të ardhurat nga biletat dhe shërbimet kanë shënuar një rritje prej 142%.

Ndër sitet më të frekuentuara gjatë katërmujorit të parë të vitit renditen Kalaja e Gjirokastrës me 34.186 vizitorë, Parku Arkeologjik i Shkodrës me 33.273 vizitorë dhe Parku Kombëtar i Butrintit me 32.286 vizitorë.

Po ashtu, Muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë ka mirëpritur 31.480 vizitorë, ndërsa Parku Arkeologjik i Apolonisë është vizituar nga 20.336 persona.

Rritja e fluksit të vizitorëve konfirmon interesin në rritje për turizmin kulturor dhe vlerat historike që ofron Shqipëria, duke e kthyer trashëgiminë kulturore në një nga asetet më të rëndësishme të zhvillimit turistik të vendit.