“Arresti me burg nuk duhet të jetë rregull”/ Ramaj: Duhet të jetë masë e fundit, jo zgjedhja e parë
Në emisionin “Drejt” në Ora News, i ftuar ishte avokati Redi Ramaj, i cili foli për debatin e hapur mbi përdorimin e masës së sigurisë “arrest me burg” në sistemin e drejtësisë.
Ai ngriti shqetësimin se në disa raste kjo masë përdoret edhe për vepra penale që kanë dënime të ulëta, duke krijuar sipas tij një situatë ku personi mund të qëndrojë i izoluar pa një vendim përfundimtar gjykate.
“Për vepra penale që kanë dënim deri në tre apo katër vite, nuk është gjithmonë e logjikshme të aplikohet arresti me burg. Duhet parë nëse ekziston realisht nevoja për një masë kaq të rëndë.”-tha avokati.
Ramaj shpjegoi se Kodi i Procedurës Penale i jep prokurorit rol vendimtar në kërkimin e masës së sigurisë, ndërsa gjykata mund ta ulë atë, por jo ta rëndojë.
“Prokurori vendos nëse kërkon arrest në burg apo një masë më të lehtë. Gjykata pastaj mund ta zbuste, por jo ta rëndojë. Prandaj kjo fazë ka shumë peshë në praktikë.”-shtoi Ramaj.
Ai shtoi se në praktikë shpesh është vërejtur një tendencë për të kërkuar masa të rënda edhe kur nuk ka elementë urgjence apo flagrancë, duke e bërë arrestin me burg një mjet të përdorur më shpesh sesa duhet.
Sipas tij, në mungesë të kushteve të veçanta si flagranca, çështjet duhet të hetohen në gjendje të lirë ose me masa më të lehta, ndërsa vendimi për fajësinë i takon vetëm gjykatës në fund të procesit.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS:

