"GJL sjellë një ndryshim të rëndësishëm në praktikë"/ Karanxha: Dënimi me burg po trajtohet si masë e jashtëzakonshme

Në emisionin “Drejt” në Ora News ishte i ftuar ish-prokurori Ervin Karanxha, i cili komentoi vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë për masat e sigurisë dhe paraburgimin.

Ai u ndal te ndryshimi i praktikës gjyqësore, sipas së cilës “arresti në burg” nuk duhet të jetë më masa e parë automatike, por vetëm zgjidhja e fundit kur masat e tjera nuk mjaftojnë.

“Gjykata e Lartë ka sjellë një ndryshim të rëndësishëm në praktikë. Arresti në burg tashmë trajtohet si masë e jashtëzakonshme dhe duhet të justifikohet pse nuk funksionojnë masat e tjera si detyrimi paraqitje apo garancia pasurore.”-tha Karanxha.

Në analizën e tij, Karanxha u shpreh se vendimi vjen pas problematikave të evidentuara ndër vite, përfshirë edhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut ndaj Shqipërisë për paraburgime të gjata dhe të pajustifikuara.

Ai shtoi se më herët, në shumë raste, prokuroria kërkonte arrestin në burg dhe gjykata e pranonte automatikisht, pa analizuar alternativat më të lehta.

“Duhet të vlerësohen jo vetëm akuzat, por edhe rrethanat personale të të dyshuarit. Deri tani këto shpesh nuk janë marrë parasysh, ndërsa vendimi i ri e vendos këtë si detyrim për gjykatat.”-tha ish-prokurori.

Sipas tij, një element tjetër i rëndësishëm është edhe marrja në konsideratë e rrethanave familjare dhe sociale të personit të hetuar, të cilat më parë shpesh nuk përfshiheshin në vendimmarrje.

Vendimi i Gjykatës së Lartë synon të ulë përdorimin e paraburgimit dhe të forcojë standardet e procesit të drejtë, duke e kthyer atë në masë të fundit dhe jo rutinë.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS: