Helmimi nga kateringu i “Sori-Al”, Lala jep detaje, çfarë deklaroi studenti në polici
Ditën e sotme u bë e ditur se 56 studentë të Akademisë së Sigurisë në Tiranë ishin helmuar pas vaktit të drekës së një dite më parë.
Gazetarja Klodiana Lala, duke treguar detaje për të dhënat e para rreth kësaj ngjarje të rëndë, deklaroi se helmimi ka ndodhur pas kateringut që bëri kompania “Sori-Al” e kreut të Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë Nikolin Jaka, ndërsa partnerja e tij, administratore e kompanisë nuk është paraqitur për të dhënë shpjegime.
Sipas Lalës një nga studentët ka rrëfyer se në momentin që ka konsumuar drekën brokoli ka qënë i thartuar.
“Studentët janë paraqitur për simptoma të ngjashme me ato të helmimit. Ka pasur dyshime që mund të ishin helmuar nga konsumimi i drekës. Ka rezultuar se kompania Sori-Al kishte marrëveshje kateringu.
Ka nisur hetimi dhe policia ka njoftuar institucionet. Njëri nga studentët ka pretenduar se kur ka ngrënë drekën, brokoli ka qenë i thartuar.
Është marrë i gjithë vakti i drekës. Zonja Alma Tafani është partnerja e zotit Nikolin Jaka. Kompania Sori-Al ka kontratë me Akademinë.
Është bërë kontrolli i banesës së saj dhe ajo nuk është gjetur aty. Nuk është paraqitur në mënyrë të vullnetshme për të dhënë shpjegimet e veta.
Problematika me sigurinë ushqimore është një ndër problematikat më të mëdha”– tha Lala në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.

